Gastronomia në RMV, problem kryesor pagesa e ulët!


Maqedonia prodhon kuadro cilësorë në industrinë e gastronomisë, dhe kjo u dëshmua me fitimin e çmimit më të lartë “Tigani i artë” të fituar së fundmi nga studentët e Fakultetit të Turizmit në Konkursin Botëror të gastronomisë në Turqi, si dhe 5 medaljet e arta, 1 argjend dhe 3 medalje bronzi në kategorinë individuale. Por problem mbetet pagesa e dobët e punës së tyre, për çka një pjesë e mirë e kuadrit profesional shkon për të punuar jashtë vendit, kryesisht në Mal të Zi, Kroaci dhe Gjermani ku pagat janë disa herë më të larta. Fituesit shpresojnë që situata të ndryshojë edhe në vendin tonë.

“Shpresojmë të përfundojmë në ndonjërin nga restorantet më të mira këtu apo jashtë vendit. Kohëve të fundit medaljet dhe diplomat tona në Maqedoni janë vlerësuar shumë. Jashtë vendit kjo është bërë prej kohësh, por edhe te ne dalëngadalë kjo ka filluar të ngrihet në nivel më të lartë”- deklaroi Hristijan Jordanoski-studenti i kulinarisë.

Ohri dhe Struga kanë nevojë për kuadro cilësor dhe profesional, në mënyrë që mangësia me të cilën po përballet aktualisht tregu i turizmit të ulet në minimum. Por duhet të gjendet mënyrë si të mbahen këta kuzhinierë profesionistë në vend.

“Është e kotë edhe po të keni inventar më cilësor, të kesh kuzhinë prej 200-300 mijë euro, nëse mendon nëse duhet ta paguash 20,000 apo 30,000 denarë stafin kulinar. Është e paimagjinueshme një gatues cilësor i cili është arsimuar dhe vetë e dinë çfarë kanë kaluar për të arritur deri në këtë nivel, të jenë kuzhinierë më të mirë, të trajtohen nën nivelin dhe nderin e tyre dhe të përballen me realitetin e të qenit të paguar me pagat minimale”- pohoi Kliment Naumov-profesor i gastronomisë.

“Nga ana tjetër, edhe për menaxherët e restoranteve, kjo është një tjetër nxitje që ata të shohin se edhe këtu ne kemi kuzhinierë të mirë që mund të punojnë me ushqime të ndryshme dhe të vlerësojnë cilësinë e tyre dhe t’i punësojnë”- tha Cvetko Andreeski – Dekan i Fakultetit të Turizmit.

Nga Fakulteti thonë se përmes pasurimit të mësimit praktik, ku studentët duhet të kalojnë të paktën një muaj gjatë vitit, si dhe me bashkëpunimin me shkollat gastronomike nga Evropa, përpiqen të tërheqin sa më shumë studentë, megjithëse ky numër në vitet e fundit ka shënuar rënie. Ndryshe sipas disa të dhënave, rreth 80% e kuzhinierëve profesionistë shkojnë jashtë vendit.