Për të tretën herë me radhë, Policia e Kosovës është duke pranuar një telefonatë anonime, që në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë janë vendosur mjete shpërthyese. Personi anonim i cili po telefonon Policinë e Kosovës, po raporton se ai ka vendosur mjete shpërthyese, ndërsa dy herët e kaluara, Policia ka konfirmuar se nuk kishte gjetur asnjë mjet të dyshimtë. Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, konfirmoi se telefonatën anonime e kanë pranuar sot rreth orës 12:30.
“Rreth orës 12:30, kemi pranuar një telefonatë anonime, përmes së cilës një person ka deklaruar se ka vendosur mjete shpërthyese në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë. Menjëherë policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës”, deklaroi ajo.
Në pamjet që ka siguruar Telegrafi, shihet se tashmë janë larguar qytetarët dhe po ashtu edhe autobusët, ndërkohë Policia po vazhdon me kontrolle.