Në Kosovë Ministria e Drejtësisë synon themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Byroja do të merret me zyrtarë dhe ish-zyrtarë të institucioneve.
Në Kosovë qeveria miratoi një projektligj që ka për qëllim themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Projektligji, sipas ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, është hartuar nga ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë. Ajo thotë se Byroja Shtetërore synon “verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar të personave zyrtarë, familjarëve të tyre dhe personave të ekspozuar politikisht”.
Projektligji po ashtu garanton respektim të drejtave të palëve në procedurë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe dokumentet ndërkombëtare.
“Parandalimi dhe ndëshkimi i keqpërdorimit të të mirave publike, ka qenë dhe mbetet njëri ndër top prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Aprovimi dhe implementimi i këtij Ligji, është një hap tutje i domosdoshëm për arritjen e këtij synimi”, bëri të ditur në rrjetet sociale ministrja Haxhiu.
Si erdhi tek pasurimi?
Me themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, barra e justifikimit të pasurisë tani bie tek zyrtari dhe jo siç ka qenë deri më tash tek prokuroria e shtetit. Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, thotë se Byroja do të ketë staf të specializuar, por gjithsesi fjalën e fundit për konfiskim e pasurisë do ta jep gjykata, gjithnjë duke respektuar edhe të drejtën e ankesës së palës tjetër.
“Do të ketë staf të profilizuar dhe të specializuar në raport me adresimin e çështjes së pasurisë së pajustifikueshme. Barra e provës do t’i bie zyrtarit që thirret për të justifikuar pasurinë për faktin se aktualisht barra e provës është tek Prokuroria dhe kjo në vazhdimësi ka dështuar. Pra Prokuroria nuk ka arritur që përmes hetimeve që ka bërë të ngre aktakuza dhe t’i pasqyrojë ato para gjykatës dhe t’i mbrojë ato dhe është situata ku ne jemi”, tha për mediet lokale ministrja Haxhiu. Sipas saj, dënimet që janë dhënë deri tash ndaj ndonjë zyrtari të profilit të ulët kanë qenë vendime qesharake dhe motiv për të ko*rruptuarit për të vazhduar me afera të tilla. Prandaj sipas ministres Haxhiu, ajo është e interesuar që projektligji për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme të hyjë në fuqi sa më shpejtë.
“Ligji duhet të hyjë në fuqi sa më parë”
“Për mua si ministre, por edhe për Qeverinë e Kosovës, synimi është që ky ligj të hyjë në fuqi sa më parë. Por duke marrë parasysh natyrën e tij nuk mund të kërkojmë procedura të përshpejtuara, sepse megjithatë konsiderojmë që edhe Komisioni për Legjislacion duhet të organizojë dëgjim publik dhe të marrë opinionet e palëve të interesuara në këtë drejtim”, thotë Haxhiu.
Analistët skeptikë
Po si e shohin njohësit e çështjeve të drejtësisë synimin e qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti, për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme?