Pal Lekaj padit Hysen Durmishin për shpifje, i kërkon 20 mijë euro dëmshpërblim


Ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, e ka paditur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për fyerje dhe shpifje, zëvendësministrin e kësaj ministrie, Hysen Durmishinin.
Në padinë që ka siguruar Gazeta Online Reporteri.net, thuhet se Lekaj ka paditur Durmishin pas një deklarate televizive, të cilën ish-ministri i ka konsideruar si shpifje dhe fyrje ndaj tij dhe ish-stafit të tij.
Nga kjo padi Lekaj ka kërkuar 20 mijë euro dëmshpërblim nga zëvendësministri Durmishi.

“Më datën 29 dhjetor 2021, nga ora 21:00, i padituri duke marrë pjesë si mysafir në emisionin Context, “Tenderet e Qeverisë Kurti 2”, të transmetuar në televizionin ATV, ka fyer dhe shpifur kundër paditësit për punën e tij gjatë kohës së udhëheqëjes me ministrinë e infrastrukturës duke cilësuar paditësin dhe stafin e tij si një “grup të organizuar criminal” dhe se “Pal Lekaj ishte shef i Ministrisë edhe në kohën e ministrit Abdixhiku dhe Abrashi’”, thuhet në padinë që ka bërë Lekaj.

Në deklaratën e tij, Durmishi kishte përmendur se Lekaj dhe ish-stafi i tij kishin udhëhequr me ministrin e Insfrastrukturës edhe në kohën e ministrave Lumir Abdixhiku dhe Arban Abrashi.
Deri sa kam ardh unë ai [Pal Lekaj] ka qenë ministër, Llumir Abdixhiku është marrë vetëm me punë të mjedisit dhe një kontrat të Bechtel-it që është anuluar. Betim Reçica dhe Valmira Bllaca bashkë me Pal Lekajn, çka kanë dasht kanë bërë në atë ministri edhe kur ka qenë ministra Lumir Abdixhiku dhe Arban Abrashi”, kishte thënë ai.