Rasti “Alfa”, familjarët kërkojnë zbardhjen e rastit


Familjet e të dë*nuarve për rastin “Alfa” kërkojnë nga Gjykata Penale të marrë vendim për rigjykimin dhe zbardhjen e rastit. Drejtësi kërkon edhe ish i arrestuari për këtë rast, Ramiz Dauti i cili thotë se ekspertiza e fundit e cila dëshmoi se të dënuarit për këtë rast nuk kanë asnjë lidhje me vrasjen, duhet të merret për bazë dhe të hedhë dritë mbi të vërtetën për këtë rast.

“Javën e kaluar Gjykata Penale ka bërë kërkesën zyrtare dhe presim vendim shumë të shpejtë. Nuk ka asnjë arsye ligjore e cila mund ta shtyjë seancën dhe se vendimi për rigjykim është i pashmangshëm sidomos pas ekspertizës së fundit si dëshmi e re”, u shpreh Ramiz Dauti, Ish i arrestuar për rastin “Alfa”.
Dauti i bën thirrje qytetarëve dhe faktorit ndërkombëtar që të ngrenë zërin ndaj padrejtësive. Ai thotë se nuk po kërkon mëshirë por vetëm drejtësi.

“Duke pas parasysh se njerëz të pafajshëm janë në burg pa asnjë vepër dhe tash lirimi i Mijallkovit dhe Kamçevit sigurisht se na ka revoltuar. Ata kanë dhënë garanci me shuma marramendëse, të dënuar me nga 20 vite dhe mbrohen në liri, ndërsa Agimi pa asnjë dëshmi mban burg të përjetshëm. Ne kërkojmë nga qytetarët, mediat dhe faktori ndërkombëtar që rasti jonë të merret me seriozitet. Ne me vetëdije e bëjmë këtë punë. Po kërkojmë drejtësi dhe jo mëshirë”, tha Ramiz Dauti, Ish i arrestuar për rastin “Alfa”.

Në qershor të vitit 2021 një ekspertizë e kërkuar nga mbrojtja në rastin “Alfa” dhe e realizuar në Serbi konstatoi se të dënuarit për këtë rast nuk janë aktorët e vrasjes së policit në parkingun pranë Fakultetit Matematiko-Natyror në Shkup. Vrasja e policit shqiptar ndodhi më 26 nëntor të vitit 2008. Bashkë me të mbetën të plagosur edhe dy policë të tjerë, Sashe Petrovski dhe Edvard Aleksovski. Në vitin 2010 gjykata dënoi me bu*rg të përjetshëm Rexhail Qerimin, Agim Islamin dhe Almir Derplaninin, ndërsa për logjistikë me 9 vite burg u dënua Ramadan Shaqiri.