Kreu i Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), në konferencën e sotme deklaroi se vendimi i sotëm për shtrenjtimin e energjisë elektrike, është vendimi më i vështir që nga themelimi i KRRE-së.
“Ngritja reale duhej të ishte diku 25 për qind, por KRRE-ja ka kërkuar nga gjithë aktorët e kësaj fushe solidaritet dhe arritëm që çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë të rritet për 9.48 për qind”, deklaroi Marko Bislimovski, kryetar i KRRE-së.
Bislimovski gjithashtu deklaroi se tarifa e lirë gjatë ditës do të hiqet, por mbetet gjatë mbrëmjes dhe të dielave. Sipas tij, heqja e tarifës së lirë gjatë ditës ka qenë e domosdoshme, sepse në të kundërtën rritja e rrymës do të shkonte në 14.23 për qind.