Kryetari i komunës së Kërçovës Fatmir Dehari, në profilin e tij në fejsbuk ka publikuar disa fotografi ku shihet se si qytetarët i kanë sjellë lodrat e fëmijëve në një gjendje jo të vyeshme! Ai apelon tek të gjithë qytetarët që të kujdesen për qytetin e tyre e ta mirëmbajnë atë, jo të thyejnë e coptojnë mundin dhe kujdesin e komunës.
Postimi i tij i plotë: APEL QYTETAR! Fenomene të shëmtuara, me skena vandalizmi karshi pronës publike kanë ndodhur ditëve të fundit në terrenin sportiv të sapo ndërtuar në lagjen “ 22 Dhjetori “ në Kërçovë. Rrëzohen, demolohen, coptohen pajisjet urbane dhe lojërat për fëmijë, duke dhënë pamje të trishtë kur i shikon në këto foto, e jo më në realitet.
E PAKUPTUESHME kjo ndjenjë sulmi ndaj të bukurës dhe funksionales për një qytet me mjedis të pastër.
Ngjarja është paraqitur në organet e rendit dhe reagimi i policisë ka qenë i menjëhershëm për të identifikuar, e vënë para përgjegjësisë ligjore autorët e kësaj çmendurie ndaj qytetares dhe urbanes me qëllim shkatërrues të pakuptueshëm.
Nga ky akt i shëmtuar dhe i dënueshëm, marrim shkas dhe APELOJMË, që në mbrojtje të pasurisë publike dhe jo në zhbërjen e saj, TË JEMI TË GJITHË!
Të qëndrojnë në mbrojtje të pronës publike, të mirës dhe të bukurës, duke i dhënë më shumë qytetari përditshmërisë sonë!
Me respekt,
Komuna e Kërçovës”