Infektologu Fadil Cana në një deklaratë tha se mbyllja e disa kovid-qendrave në vendin tonë është vendim i gabuar.
Cana thotë duhet të vazhdojnë me punë kapacitetet e shtuara spitalore ndërkaq apelon që mos të merren vendime politike në lidhje me funksionimin e kovid-qendrave.
“Nëse shkojmë sipas logjikës që kemi të konstatuar edhe prezenca e variantit të ri, një vendim i tillë nuk do të ishte në dobi të shëndetit të popullatës, po sipas meje më shumë do të ishte një vendim i politikës ditore të ministrit në ikje i cili ndoshta do të lejë një gështenjë të nxehtë në duart e ministrit të ardhshëm dhe të dëshmon atë të cilën, do të jem pak ironik politikat shëndetësore menaxhuese në Republikën e Maqedonisë së Veriut kanë qenë aq efektive dhe efikase sa që vet numri i mortaliteteve në top 10-shin botëror i shteti tonë, dëshmon se sa efikas ka qenë”.
“Dhe në këtë këndvështrim më shumë do ta kisha komentuar vendimin për mbylljen e qendrave kovid. Mendoj se është vendim i gabuar dhe shumë i hershëm, pasi që nuk do të thotë se me ikjen e binomit Zaev- Filipce, ka mbaruar edhe pandemia. Pandemia vazhdon të jetë këtu me ne dhe sistemi shëndetësor duhet të jetë në dobi të shëndetit të njerëzve dhe jo në dobi të politikës ditore”, tha Cana.