Meksika thyen rekordin e vrasjeve… që e mbante vetë


Vrasjet në Meksikë janë rritur me 16% në gjysmën e parë të vitit 2018, ndërkohë që vendi edhe një herë tjetër thyen rekordin e vendosur prej vetë atij.

Ministria e Brendshme tha se ka pasur 15 973 vrasje në 6 muajt e parë të vitit krahasuar me 13 751 vrasje në të njëjtën periudhë të vitit 2017. Shifra është më e larta që kur të dhënat e krahasueshme nisën të regjistroheshin, përfshirë kulmin e luftës së drogës në Meksikë në vitin 2011.

Sipas Ministrisë së Brendshme, vrasjet janë të krahasueshme me nivelet në Brazil dhe Kolumbi. Sipas analistëve, shifrat janë të tmerrshme, por ka disa shenja inkurajuese. Për shembull, rritja e vrasjeve po bëhet me nivele më të ngadalta. Vrasjet janë rritur me rreth 4% krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2017. Në disa zona, si në shtetin kufitar të Bajas në Kaliforni, tregonin rritje të mëdha të nivelit të vrasjeve, ndërsa në shtete të tjera është shënuar rënie.

Baja Kalifornia, ku edhe ndodhet qyteti i Tijuanës, ka regjistruar 1 463 vrasje në gjysmën e parë të vitit, një rritje prej 44% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Autoritetet ia kanë atribuar këtë rritje përplasjeve mes karteleve të drogës Jalisko dhe Sinaloa, që luftojnë për të marrë kontrollin e trajektoreve të drogës në Baja Kalifornia.

Shteti është tani i dyti më i dhunshmi në Meksikë, me një shkallë vrasjesh për gjashtë muajt e parë të vitit ekuivalente me 71 vrasje për 100 mijë banorë. Ndërkohë që Hondurasi dhe El Salvadori, dy vendet me nivelin më të lartë të vrasjeve në botë, kanë një nivel vrasjesh prej rreth 60 për 100 mijë banorë.

Shteti më i rrezikshëm në Meksikë është Kolima, në brigjet e Paqësorit, me 27% rritje të numrit të vrasjeve dhe me një shkallë vrasjesh prej rreth 80 për 100 mijë banorë. Edhe atje, është aktiv karteli i drogës Jalisko.