Se rrugët e Kosovës po bëhen çdo ditë e më të rrezikshme, tregojnë edhe të dhënat për numrin e aksidenteve nëpër rrugët e vendit.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, nga muaji janar deri më 15 korrik të vitit 2018, në vendin tonë kanë ndodhur 44 aksidente fatale ku humbën jetën 59 persona.
“Gjatë periudhës janar – 15 korrik 2018 në territorin e Republikës së Kosovës kanë ndodhur 7,626 aksidente, 44 prej tyre kanë qenë fatale me 59 persona të vdekur. Gjithashtu kanë ndodhur 4,478 aksidente me dëme, 3,104 aksidente me lëndime dhe 6,119 persona të lënduar”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës dërguar Telegrafit.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas Policisë së Kosovës, janë 1,186 aksidente më pak.
Gjithashtu edhe numri i atyre që kanë humbur jetën në komunikacion është më i vogël për 4 persona.
“Në periudhën 1 janar deri 15 korrik 2017 kanë ndodhur 60 aksidente fatale me 63 persona të vdekur. Po ashtu kanë ndodhur 8,812 aksidente, ku 3,192 aksidente ishin me lëndime dhe u lënduan 6,439 persona”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Brenda 24-orëve në rrugët e Kosovës kanë humbur jetën 4 persona.
Gjatë kësaj periudhe, Policia e Kosovës ka shqiptuar 202,891 tiketa, që krahasuar me vitin 2017 kishte rritje prej 2,249 të tiketave.
Në vitin 2017 kanë ndodhur gjithsej 17,695 aksidente me 122 aksidente fatale dhe 137 persona të vdekur. Brenda këtij viti, Policia e Kosovës ka shqiptuar 396,924 tiketa për kundërvajtje në komunikacion.
Policia e Kosovës thotë se humbja e jetëve në aksidentet e trafikut është shqetësuese dhe kërkon që të gjithë akterët që kanë ndikim ta bëjnë përmirësimin e gjendjes.
“Aksidentet në përgjithësi e sidomos humbja e jetëve njerëzore në aksidente trafiku është shqetësuese jo vetëm për policinë, por edhe për institucionet tjera dhe qytetarët në përgjithësi, prandaj kërkohet një përkushtim dhe qasje më gjithëpërfshirëse proaktive, nga të gjithë akterët që kanë rol dhe ndikim në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në këtë fushë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës dërguar Telegrafit.
Policia kërkon që tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik të jenë të kujdesshëm dhe sa më vigjilentë në komunikacion.
“Policia, me qëllim të reduktimit të aksidenteve në tërësi, e në veçanti të atyre me pasoja fatale, në vazhdimësi kërkon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti te drejtuesit e automjeteve, që të jenë të kujdesshëm dhe sa më vigjilentë gjatë drejtimit të automjeteve të tyre, duke respektuar në tërësi të gjitha rregullat dhe dispozitat ligjore në veçanti kufizimin e shpejtësisë”.
“Policia me njësitet e saj po vazhdon të monitorojë dhe të menaxhojë situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit dhe aty ku pjesëmarrësit bien ndesh me rregullat në trafik, aplikon zero tolerancë dhe masa rigoroze ndëshkuese siç parasheh ligji, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në përgjithësi, e në veçanti atyre me fatalitet, që po paraqesin shqetësim për të gjithë ne, për shkak të humbjes së jetëve njerëzore”. /Telegrafi