Shkruan: Xhelal Neziri
Zoran Zaev sot dorëzoi dorëheqjen e paralajmëruar në Parlament. Me dorëheqjen e tij bie e tërë qeveria. Presidenti duhet të mandatojë kandidatin për kryeministër, Dimitar Kovaçevski, i cili ka 64 nga 120 deputetë në Parlament që do ta votojë qeverinë e re. Kabineti i Kovaçevskit nuk do të ketë dy figurat kryesore të krahut “urban” të Shkupit: radmilla Shekerinska dhe Milla Carovska. Ministri aktual i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, do të jetë zv/kryeministër për eurointegrime. Kjo do të thotë se në qeverinë e re nuk do të jetë as Nikolla Dimitrov. BDI nuk do të ndryshojë emrat. Kjo parti do të marrë resorin e Arsimit, do ta lëshojë atë të Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
Sidoqoftë, disa elemente sinjalizojnë se kjo qeveri, megjithatë, nuk do të jetë jetëgjatë. Është rëndë të besohet se një qeveri me një përbërje të tillë mund ta çojë mandatin deri në fund. Fakti që Zaev largohet dhe në vend të tij vjen Kovaçevski, e bën situatën të ngjashme me atë të vitit 2004, kur Crvenkovski dha dorëheqjen dhe në krye të qeverisë erdhi Hari Kostov. Nëse Kovaçevski do të përfundojë si Kostov, me vetëm disa muaj kryeministër, mbetet për t’u parë. Qeveria përbëhet nga shumë parti, mbështetet në një shumicë të vogël dhe pothuajse çdo parti mund të kushtëzojë mbështetjen në çdo hap.
Zaevi po tërhiqet në një koment kur vendi do të përballet me kriza të rënda dhe probleme të ndjeshme. Alternativa po hyn në një qeveri që duket si një anije pa kapiten, e cila kalon nëpër një det të trazuar me një ekuilibër të humbur. Parashikimet e Alternativës janë që deri në vitin 2024, kur mbaron mandati i kësaj përbërje, do të arrijnë të ngjeshin radhët e tyre partiake duke përdorur përfitimet e qeverisë. Kanë qenë dikur në pushtet, në 2017-ën kurse pas 2020-ës janë në opozitë. Krerët e kësaj partie e shohin se si zvogëlohet mbështetja kur lëshohet pushteti. Mungesa e një matrice solide ideologjike e bën partinë të varur nga vota klienteliste. Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve largohen nga partia ose bëhen pasivë kur nuk kanë çfarë të përfitojnë nga ajo.
Por, pjesëmarrja në këtë periudhë në pushtet mund t’i kushtojmë shtrenjtë Alternativës. Kësaj partie i janë dhënë dy resore të nxehta: njeriu i parë në Shëndetësi dhe në MEPSO. Institucioni i parë pritet të përballet me valën e pestë të koronavirusit, ndërsa i dyti me krizën energjetike. Jo se deri më tani këto institucione kanë treguar rezultate, por megjithatë gjithë kaosi i mundshëm mund t’i faturohet Alternativës.
Kjo qeveri nuk ka gjasa të funksionojë në këto kriza të rënda. Bllokada nga Bullgaria dhe problemi me këtë vend i vështirëson edhe më shumë rrethanat. Prandaj pres që në vitin 2022 të kemi sërish zgjedhje të parakohshme. Nuk besoj se të njëjtat do të ndodhin para qershorit. As VMRO-DPMNE nuk është e sigurtë në fitoren e dëshiruar. Hristijan Mickovski e di se “fitorja e madhe” në zgjedhjet lokale nuk është rezulat i ngritjes së partisë së tij, por i bojkotit të brendshëm në LSDM. Çka nëse Kovaçevski arrin të bashkojë dy fraksionet kryesore – atë “rural” dhe “urban”? Në atë rast fitorja do të ishte me një epërsi të lehtë. Ky rezultat nuk do t’i premtonte Mickovskit të formojë qeveri vetëm me një parti shqiptare. Në atë rast, ai do të hynte në këpucët Zaevit, i cili qeveritë në 2017 dhe 2020 i formoi me së paku dy parti shqiptare. Andaj edhe Mickovskit i duhet kohë, së paku deri në shtator. Gjatë kësaj periudhe ai do të punojë fuqishëm me komunat që të ndërtojë besim në elektorat.
ASH-ja poashtu nuk është për zgjedhje të shpejta. Në mars ose prill ka kongresin partiak, ku Arben Taravari do të zgjidhet në pozitën e kryetarit të partisë, të cilën aktualisht e mban Ziadin Sela. Andaj, ASH do të kërkojë të blejë kohë të konsolidohet si parti me lidership të ri. E reformuar do të kërkojë të kthejë lakoren e rënies prej gati 30 mijë votash në zgjedhjet lokale, në krahasim me ato parlamentare të vitit 2020.
BDI duket se është më komode kur bëhet fjalë për numrat. Por, fakti se partneri i saj qeverisës LSDM është në krizë, nuk përbën lajm të mirë për integristët. Shkuarja në koalicion parazgjedhor me një LSDM të dobët nuk do të shihej si opsion nga BDI. Një koalicion me Alternativën dhe me parti të reja do ta bënin sërish Ahmetin një “king-maker”, nëse koalicioni VMRO-DPMNE/ASH nuk do të arrinte të fitonte së paku 61 deputetë.
Andaj, viti 2022 do të jetë vit i fushatës apo i garës për ngritje të rejtingut. Partitë tanimë kanë hartuar doktrina, strategji e koncepte për veprimin e tyre. Nuk përjashtohet edhe paraqitja dhe faktorizimi i lëvizjeve të reja politike. Nëse ato zgjedhje do të zgjidhin ngërçin apo do të fusin vendin në një krizë të re, do të presim e do të shohim.