Muhamet Hoxha informon se qeveria ka miratuar ligjin për rregullimin e statusit të objekteve të ndërtuara pa leje


Në mbledhjen e djeshme Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e miratoi tekstin e Propozim-ligjit për rregullimin e statusit të objekteve të ndërtuara pa leje, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha, sipas tij me këtë Propozim-ligj parashihet mundësia për rregullimin e statusit juridik të objekteve të ndërtuara pa leje para 1 janarit të vitit 2021.

“Dispozitat e këtij Ligji nuk aplikohen për të gjitha llojet e objekteve të ndërtuara pa leje në kufijtë e rajonit të Ohrit, në të cilën ndodhet trashëgimia natyrore dhe kulturore e shkruar në Listën e trashëgimisë natyrore kulturore botërore të UNESKO-s, që nuk janë në përputhje me Planin për menaxhim me Trashëgiminë natyrore kulturore botërore në rajonin e Ohrit.

Ligji i cili u miratua pas një debati publik të gjerë dhe gjithëpërfshirës, duhet të miratohet në Kuvendin e RMV-së”, deklaroi Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.

Qeveria gjithashtu shqyrtoi informacionin lidhur me zbatimin konsekuent të Ligjit për mbrojtje nga pirja e duhanit.

“Në pjesën e duhanit të padjegshëm, pajisjet për ngrohjen e tyre dhe cigaret elektronike, Qeveria miratoi mendimin e Ministrisë së Shëndetësisë se produktet jo të djegshme të duhanit dhe pajisjet e tyre ngrohëse nuk bëjnë pjesë në ndalimin e pirjes së duhanit nga Ligji për mbrojtje nga prija e duhanit”, tha Hoxha.

Gjatë mbledhjes së djeshme Qeveria e RMV-së solli vendim për harmonizimin e Protokollit për organizimin e ngjarjeve me prezencë mediatike.

“Me këto ndryshime parashihet që për pjesëmarrje në ngjarje në ambient të hapur ose të mbyllur, është e detyrueshme posedimi i certifikatës për pranimin e dy dozave të vaksinës ose vërtetim që e kanë kaluar Kovid-19 deri në 45 ditë nga dita e shërimit. Ky harmozim i protokollit është bërë në konsultim me SHGM-në dhe SPGM-në (Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik)”, deklaroi Muhamet Hoxha, Zëdhënës i Qeverisë.