Radev: “Për çështjen e Maqedonisë udhëhiqemi nga rezultatet”


Presidenti bullgar Rumen Radev sot tha se është i kënaqur që liderët evropianë “më në fund e kuptuan problemin e vërtetë me Maqedoninë e Veriut” dhe se të gjitha përpjekjet për të ushtruar presion ndaj Sofjes ishin kundërproduktive.

“Në të gjitha këshillat evropiane – që nga maji, kam biseduar me çdo lider evropian për temën e R. Maqedonisë së Veriut. Dua t’i falënderoj, sepse për herë të dytë tema është jashtë rendit të ditës. Partnerët tanë më në fund e kanë kuptuar se ku është problemi i vërtetë. Problemi ka një ndikim të thellë në themelet e vetë BE-së – të drejtat e njeriut dhe mosdiskriminimi”, tha Radev për mediat bullgare në Bruksel, ku po merr pjesë në samitin e gjashtë të Partneritetit Lindor dhe Këshillit Evropian.

Radev, siç transmeton “BGNES”, theksoi se Sofja do të vazhdojë të mbrojë qëndrimin e saj, jo vetëm historinë, duke theksuar se prioritet kryesor është respektimi i të drejtave të njerëzve me identitet bullgar.“Nuk japim afate. Ky proces nuk udhëhiqet nga afatet, por nga rezultatet”, tha Radev.Sipas tij, të gjitha përpjekjet për të ushtruar presion ndaj Bullgarisë janë kundërproduktive.

“Presidenti francez Emmanuel Macron e njeh qartë pozicionin e Bullgarisë dhe prandaj nuk pres presion. Ne kemi një marrëveshje të qartë. Ne duhet të zgjidhim çështjet e energjisë me Francën”, shtoi Radev.