Shkullaku: Të shtunën u shuan dilemat, Berisha ka shumicën!


Analisti Armand Shkullaku, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për Kuvendin e Partisë Demokratike që u mbajt në 11 dhjetor.

Shkullaku tha se ky Kuvend i shuan të gjithë dilemat që ekzistonin, se kush e ka shumicën në PD, sepse është e qartë se atë e ka Sali Berisha. Shkullaku komentoi edhe ngjarjet në selinë e PD, ku hyri Berisha me mbështetësit e tij. Sipas analistit, kjo gjë e bëri agresiv Bashën, sepse mbajtja e selisë me çdo kusht, është objektivi i tij kryesor.

“Të shtunën ndodhi diçka për të cilën kemi folur vazhdimisht. Kemi patur dilemën a i kishte vërtet Sali Berisha mbi 50+1 të delegatëve të Kuvendit? Deri ditën e shtunë, kur u verifikuan pjesëmarrësit, çështja e vetme që duhet të dominonte opinionin publik, a është Berisha shumicë? Të shtunën këto dilema morën fund. Sali Berisha e ka shumicën në parti. E rikonfirmoi këtë në një moment tejet të vështirë.

Ajo që pashë të shtunën ishte e habitshme, sepse në një temperaturë 5 gradë, në shi, një njeri që nuk ka asnjë pushtet, që nuk shpërndan dot as favore, as para, as premtime, që ka Amerikën mbi shpinë, mund t’i dalin njerëzit dhe t’i shprehin mbështetje. Kjo tregon që kjo është mbështetje natyrale, jo e kërkuar. Edhe Rama bën, por shkojnë kontigjentet e Bashkisë etj.

E dyta, dimensioni estetik. Berisha ka vuajtur për këtë. Ka patur përmbajtje të fortë, por i mungonte aspekti estetik. Këtë herë ishte si një konvent e partive amerikane. Ty dyja elementet na konfirmuan se Berisha është shumicë. Është mirë apo keq? Kjo është çështje e tyre.

Pasi ndodhi kjo, reagimet e Bashës ishin të përmbajtura deri diku, deri sot. Pamë një Bashë, që tha ditëlindje e thyer. Ndërsa reagimi i sotëm i Bashës ishte shproporcional. Ndoqa hyrjen e Berishës në seli dhe nuk pashë asnjë ekses, sharje, ofendim. Reagimi i Bashës, ishte më i ashpëri, më shproporcionali dhe agresiv, që ai ka mbajtur ndonjëherë.

C’pati ky? Kuptova që e vetmja gjë që e ka tundur dhe frikësuar, është marrja e selisë. Sepse ai e koncepton partinë me një zyrë dhe jo me antarësinë!

Nëse dikush thotë kam shumicën dhe e demonstron me numra me emra, me kamera dhe ti nuk shqetësohesh, por shqetësohesh kur të hyn në seli, ti kupton që thelbi i tij është mbajtja e selisë”, tha Shkullaku.