Borën në qytetin e Tetovës për momentin e pastron Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” edhe pse ky vendim nuk ka kaluar në Këshillin e komunës. Nga “Lista e pavarur” thonë se kontrata nuk është e qartë.
“Nuk ishte e qartë kontrata të cilën e kërkojmë. Makineritë që ka NPK, si do e menaxhoje kompaninë që do e mbuloje punët që do i bëje NPK. Këto ishin gjërat që duhet të qartësohen për opinionin edhe për ne si këshilltarë”, tha Hamdi Sulejmani – këshilltar i pavarur
Kryesuesi i këshillit komunal Besar Durmishi thotë se qëllimi është që të ulen kostot e harxhimeve dhe për këtë menaxhimi duhet t’i kalojë ndërmarrjes publike komunale.
“Kemi dashur që ingerencat t’ia kalojmë NPK Tetova. Ajo ka më veç prokurim për marrjen e naftës edhe ka mjete jo të mjaftueshme nëse rritet sasia a borës, por të disponueshme që mund të menaxhohet sasia e borës. Me këtë do t’i ulim dukshëm shpenzimet”, potencoi kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Besar Durmishi.
Kryetari i Komunës Bilal Kasami thotë se ka kompani që duan ta ndihmojnë komunën derisa të stabilizohet financiarisht.
“Edhe unë me vendim kamë angazhuar ndërmarrjen publike që të menaxhojë me pastrimin e borës dhe ka kompani private që janë të interesuara që t’i japim mjetet e tyre në shërbim deri sa të stabilizohemi në aspektin financiar dhe të shohim më tutje në mënyrë permanente si do të zgjidhim problemin e borës”, deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Komuna ka siguruar 500 ton krip dhe 3000 metër kub zall, por si i ka siguruar akoma mbetet e pa qartë, pasi që as NPK Tetova e as Komuna e Tetovës në faqen zyrtare nuk kanë asnjë tender të hapur për krip edhe zall.