Bujar Osmani në takim me Liz Truss


Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, gjatë qëndrimit në Londër, u takua me Sekretaren e Shtetit për Punë të Jashtme dhe Zhvillim të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, Liz Truss. Dy ministrat diskutuan për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, por pjesa më e madhe e bisedës iu kushtua sfidave rajonale dhe perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut.

Në takim u konstatua se rrjedha e zbatimit të Marrëveshjes për Partneritet, Tregti dhe Bashkëpunim ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar është komponent shumë i rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve të përgjithshme.U fol edhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm të suksesshëm në fushën e mbrojtjes, teksa jashtëzakonisht e rëndësishme është mbështetja afatgjate e Britanisë së Madhe në forcimin e kapaciteteve ushtarake të vendit tonë dhe sigurisht bashkëpunimin në NATO, si një tjetër hallkë lidhje mes dy vendeve edhe në të ardhmen.

Bashkëbiseduesit arritën në përfundimin se Ballkani Perëndimor luan një rol të rëndësishëm për stabilitetin dhe përparimin e përgjithshëm të Evropës dhe integrimi i rajonit në Bashkimin Evropian është një interes i ndërsjellë gjeostrategjik nga pikëpamja politike, e sigurisë dhe ajo ekonomike.

Bashkëbiseduesit konstatuan se në rajon është e domosdoshme të intensifikohet angazhimi dhe prania e Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, gjë që do të kontribuonte në arritjen e qëllimit të përbashkët – një rajon stabil dhe prosperues.

“Perspektiva evropiane dhe euroatlantike mbeten forca kryesore lëvizëse për transformimin e të gjitha vendeve të rajonit në shoqëri të zhvilluara demokratikisht dhe ekonomikisht dhe në këtë drejtim hapja e negociatave të anëtarësimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian do të ndikojë pozitivisht për stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të të gjithë kontinentit”, është thënë në takim.