Sipas hulumtimit të fundit të kryer nga Organizata jo qeveritare SEGA, ka rezultuar se rreth 60 për qind e të rinjve nuk kanë dëgjuar për Ligjin e shtesave për të rinjtë, ndërsa 30 për qind kanë dëgjuar për atë dhe vetëm 10 për qind e njohin mirë Ligjin për shtesat e të rinjve. Rezultatet të fituar nga hulumtimi u prezantuan në kuadër të fushatës kombëtare “E drejta për pagesën e të rinjve”. Qëllimi i fushatës është të promovojë Ligjin e shtesave për të rinj dhe të prezantoj gjetjet e hulumtimit mbi dobinë dhe ndikimin e ligjit dhe të ofrojë rekomandimet kryesore për përmirësimin e tij.
Zoran Ilieski, drejtor ekzekutiv i SEGA-s, në konferencën e promovimit të këtij Ligji, ka thënë se qëllimi i fushatës kombëtare është të promovojë Ligjin për Shtesat për Rininë dhe të prezantojë gjetjet e hulumtimit mbi dobinë dhe ndikimin e ligjit. “Gjithashtu qëllimi ynë është të ofrojë rekomandime kryesore për përmirësimin e tij. Vlen të theksohet se nga fillimi i fushatës e deri më sot numri i shfrytëzuesve të ndihmës për të rinj është rritur për rreth 140”, ka deklaruar ai.
Këshilltari për rini dhe politika rinore, Gjorgji Tasev, theksoi se këtë vit nga Buxheti janë ndarë 100 milionë denarë për 4,000 të rinj që mund ta shfrytëzojnë mundësinë e marrjes së shtesave rinore. “Shfrytëzimi maksimal gjithëpërfshirës i masës është i mundur vetëm nëse bëhet përmes këshillave ekonomike vendore, komunave dhe organizatave joqeveritare të cilat punojnë në këtë fushë. Ajo që mendoj se është e rëndësishme që masa të jetë e decentralizuar duhet të afirmohet në mënyrë që të arrij deri te të rinjtë”, tha ai.
Më pas, Mile Boskov, kryetar i Biznes Konfederatës të Maqedonisë, theksoi se pakënaqësia e të rinjve, struktura mendore e tyre të cilët e shohin të ardhmen jashtë vendit dhe sistemi modest i informacionit janë disa nga problemet e mosinteresimit të të rinjve për këtë masë apo thjesht mosinformimit. “Kompanitë e korporatave përdorin rekrutimin inteligjent, që do të thotë se plotësojnë të gjitha mundësitë që ofrohen në treg dhe mendoj se për ta zgjeruar këtë në zonat rurale duhet bashkëpunim më të gjerë”, shprehet ai. Sipas tij, për sa i përket avancimit të masës, mbetet për t’u parë nëse është e rëndësishme të rritet ndihma dhe ndoshta të shikohet dhe të ndryshohet kufizimi për të rinjtë deri në moshën 23 vjeçare.
Shtesa për të rinj është një shumë prej 3.000 denarë në muaj dhe u jepet të rinjve deri në moshën 23 vjeçare të cilët kanë së paku arsim të mesëm. “Shpërblimi për të rinjtë mund të përdoret nga një i ri që plotëson këto kushte, mbulohet nga sigurimet shoqërore të detyrueshme në bazë të punësimit te punëdhënësi ose i vetëpunësuar me veprimtari kryesisht prodhuese, është i punësuar në një agjenci private punësimi dhe caktohet të punojë me një punëdhënës me veprimtari kryesisht prodhuese ose është i mbuluar nga sigurimet shoqërore të detyrueshme si fermer individual”, thonë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. (koha.mk)