Më shumë se 180 mijë llogari transaksioni që i posedojnë persona fizik (qyetarë) janë të bllokuara, kështu tregojnë statistikat e Bankës Popullore.
Të dhënat e fundit, janë deri në fund të qershorit të këtij viti (2021), pra i referohen gjysmës së parë të vitit 2021, të cilat tregojnë se krahasuar me fundin e vitit të kaluar (2020) ka rritje të lehtë të llogarive që janë “jashtë funksionit” (të bllokuara).
Llogaritë më së shumti janë bllokuar nga përmbaruesit për bankat, kompanitë, por edhe për institucionet tjera kompetente, më së shumti për shkak të borxheve të ndryshme të krijuara nga qytetarët. Numri i saktë i llogarive të bllokuara në fund të muajit qershor është 221.365, nga të cilët 185.151 persona fizikë, ndërsa 36.214 llogari për persona juridik.
Në takimin e fundit mes kryeministrit Zaev dhe kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi, ku u vendos për hyrjen e Alternativës në Qeveri (të bëhet pjesë e shumicës) u bë e ditur se janë dakordësuar për ripërcaktimin e Ligjit për Përmbaruesit, siç theksuan duke u udhëhequr nga kërkesat e qytetarëve. Por megjithatë, më shumë detaje nuk u bënë të ditura.
Në qershor, nëse bëhet krahasimi me muajin maj, numri i llogarive të bllokuara është më i vogël, por në krahasim me muajin prill numri është i lartë. Situata nuk është e njëjtë me personat juridik, ku numri i llogarive të bllokuara është në rritje, por në qershor më i ulët.
Duke marrë parasyshë, që qytetarët (personat fizik) dhe personat juridik kanë më shumë se një llogari, numri i llogarive të bllokuara nuk do të thotë që kaq shumë qytetarë apo kompani janë me llogari të bllokuara. Sipas statistikave të Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut në fund të muajit qershor janë bllokuar 102.043 depozitues, nga të cilët 76.996 persona fizik (qytetarë) dhe 25.047 persona juridik
.
Ndryshe, në fund të qershorit në Maqedoninë e Veriut, në banka janë hapur gjithsej 3.816.786 llogari transaksionesh, prej të cilëve 3.634.143 persona fizik (qytetarë) dhe pjesa tjetër (182.643) persona juridik.
Në qershor (2021) janë bllokuar 221.365 llogari të 102.043 depozituesve. Për vitin 2020, të gjithë përmbaruesit kanë arkëtuar mbi 123 milionë euro, shumë kjo pothuajse identike me të vitit 2019, kohë në të cilën nuk ka pasur ndërprerje të përmbarimit.
Nga kjo shumë, pjesa më e madhe e parave u grumbulluan nga kompanitë, edhe pse ishin të prekura nga kriza (Covid-19). Mbi 89 milionë euro janë tërhequr nga kompanitë, 9.5 milionë euro janë marrë nga shteti dhe rreth 25 milionë euro janë marrë nga xhepi i qytetarëve për shkak të borxheve të ndryshme në bazë të vendimeve ekzekutive ndaj debitorëve të ndryshëm. Edhe pse ekzekutimi u ndërpre në atë vit (2020 për shkak të Covid-KRIZËS) kjo nuk nënkuptonte falje të shumës, por vetëm kohë shtesë për tërheqjen e parave. E për këtë qytetarët për shkak të kësteve të shtyerave paguanin interes./Faktor.mk/