Ka dështuar strategjia për reforma në sistemin gjyqësor. Zëvendësministri i Drejtësisë, Agim Nuhiu vlerëson se pritjet nga zbatimi aksionar nuk janë në nivelin e duhur. Sipas tij, që reformat në gjyqësor të ketë efekt duhet shtrënguar forma e “vettingut”.
“Pritjet tona nuk janë plotësuar. Jo vetëm tonat por edhe të opinionit të gjerë. Besimi i qytetarëve dhe i opinionit të gjerë te sistemi gjyqësor është i ulët dhe në këtë drejtim ne mendojmë që duhet zbatuar forma më të rrepta të “vettingut”, për faktin se në gjyqësor dhe prokurori ka piramida të instaluara që ndikojnë të mos kemi hetime kualitative në prokurori apo të keqpërdoret bindja e lirë e gjykatësit si e drejtë diskrecionale tek procedurat gjyqësorë-penale”, deklaroi Agim Nuhiu, Zëvendësministër i Drejtësisë.
Nuhiu vlerëson se mungesa e hetimit efikas dhe mos dënimi në bazë të bindjes së gjykatësve ka ndikuar në rritjen e mosbesimit të qytetarëve ndaj sistemit gjyqësor. Për këtë arsye sipas tij nevojitet strategji e re reformuese.
“Në fushën e gjyqësorit nuk kemi rezultate që janë të prekshme në këtë kontekst prandaj edhe do të duhet të mendohet për rinovim të strategjisë ku theksi do të vendosej tek kualiteti i hetimeve, tek prokuroria dhe tek vlerësimi i bindjes së lirë të gjyqtarëve që jo rrallë herë edhe e keqpërdorin gjatë sjelljes së vendimeve gjyqësore”, tha Agim Nuhiu, Zëvendësministër i Drejtësisë.
Plani aksionar për reforma ishte hartuar mbi konstatimin se është cenuar stabilitetit elementar institucional dhe janë rrezikuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve.
“Është cenuar stabilitetit elementar institucional, mundësia për ndarjen e drejtësisë, prezenca e drejtësisë selektive dhe janë cenuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve pikërisht nga institucionet që duhej t’i mbronin ata. Ky pozicion i sistemit gjyqësor të tronditur e ka vendosur në pyetje të gjithë demokracinë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve në Maqedoni”, thuhet në Planin aksionar për reforma në sistemin gjyqësor.
Plani aksionar rekomandonte edhe formimin e Departamentit për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë në kuadër të Prokurorisë Publike apo ndjekjen e krimit të jakave të bardha, departament i cili pavarësisht ndryshimit dhe plotësimit të ligjit nuk u formua asnjëherë. Qeveria planin aksionar e kishte miratuar në nëntor të vitit 2017 të cilin e kishte cilësuar si përcaktim serioz për reforma në sistemin gjyqësor. /Alsat.mk