Në ndërkohë, para ca ditësh tek ‘Sociallna’

Shkruan Fatlinda Zeqiri

Në ndërkohë, para ca ditësh tek ‘Sociallna’
Dita 1
– Përshëndetje!
– …. ( shef ashtu si i hutuar)
– Kam nevojë për X shërbimin, ku mund të drejtohem?
– Te ‘shallteri’ numër 3.
– Mirdita – i them punonjësit aty dhe nuk prita që t’më kthejë përshëndetjen, – për X shërbimin më drejtuan te ky sportel…
– Po, duhet t’i kesh dokumentet A, B dhe C të fotokopjuara. A i ke?
– Jo nuk i kam me vete.
– Bëji dhe sjelli këtu.
– Në rregull. Falemnderit! Ditën e mirë!
– … (asgjë)
Dita 2
Me dokumentet e kompletuara, drejtohem tek sporteli nr 3.
– Mirëdita! – ndërkohë që e përshëndeta punonjësin, i lë edhe dokumentet pranë hapësirës së sportelit. Nuk më ktheu përshëndetjen, thjesht i tërhoqi dokumentet dhe pasi i pa se ç’ishin, më drejtoi gishtin kah sporteli nr.8
– Çaqe shko çoj! – më tha. Më acaroi sjellja e tij. U drejtova tek sporteli 8.
– Mirëdita, këtu i keni dokumentacionet për X shërbimin.
– Mirëdita, kush t’tha ti bojsh kto? Dokumenti B nuk t’duhet, n’vend k’tij de bijësh dokumentin D.
– Këto m’i kërkoi kolegu juaj tek sporteli nr.3, ja lista…
– Oni be cauc, nuk e ka ditë, shko bjere D ene dët sosi punë.
Ndërkohë që mundohesha të ruaj qetësinë, i mora dokumentet dhe dola. Po më vinte në majë të hundës gjithë kjo arrogancë e injorancë. Megjithatë, kisha unë nevojë dhe duhej të mbaroja punë.
Dita 3
Drejtohem tek sporteli nr.8, prapa të cilit qëndronte zotëria që ishte një ditë më parë. Për momentin fliste në telefon dhe prita për ca minuta, të mos e ndërprisja. Biseda e tij telefonike nuk po përfundonte dhe zëri i tij i lartë gjatë të folurit sikur të sfidonte durimin akoma më shumë.
– Mirëdita – i them, me qëllim që të kuptojë se po e stërzgjat muhabetin e unë s’kisha aq kohë sa të prisja tërë ditën.
– Mirëdita, a e praune dokumentin? -më pyeti zotëria nga ana tjetër, e me këtë më bëri të ditur që e mbante mend se kisha qenë edhe një ditë më parë.
– Po, ja të gjitha i keni aty.
Pasi i shfletoi më drejtohet si i habitur:
– Amë taj e ke prau internacionall ket, i maqedonis duhet, jo kshau…
– Zotëri – i them unë – në dosje i keni dokumentet që më kërkuat dje, nuk më përmendët…
– Çëllo cauco, kjo nuk pranohet, unë nuk e boj ligjin, D duhet e vendit nauk internacionall…
– Zotëri, unë nuk lëviz që këtu pa më mbaruar shërbimin. Nuk kam kohë të endem andej – këndej. Është e treta ditë me radhë që vij.
– Un t’kuptoj taj, amë…
– Mos më kuptoni, aman, thjeshtë më mbaroni punë ose lëshojeni karrigen për dikë që është më meritor, kështu edhe ju nuk lodheni edhe i kurseni nervat dhe energjinë qytetarëve…
– Haj dët sosi punë çket rend – më tha dhe priti që t’i falenderohem.
🤷‍♀️
Ky është përshkrimi më i varfër që kam bërë ndonjëherë.
Ndërkohë gjendja ime e brendshme emocionale, të cilën nuk e shprehja dot: 😲🤨😖😬🥴😵‍💫🤐😮‍💨🥱😴😡🤯🤯🤯🤯🤯🤮🤮🤮🤮👿👿👿🔫🗡🔪⚔️