Bekteshi: “Rritja e çmimit të energjisë, deri në 10 për qind” (VIDEO)


Çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël do të rritet deri në 10 për qind. Këtë informacion e tha ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, për emisionin Magazina Ekonomike, që transmetohet të mërkurën në orën 22:00. Alsat më herët bëri të ditur se rryma do të shtrenjtohet për 9 për qind. Të dhënat zyrtare do të publikohen më 9 dhjetor, kur do të shpallet oferta e EMV-së shtetërore në tenderin e EVN Home, e cila siguron energji elektrike për nevojat e amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël.

Gjithashtu mësohet se është e pasigurt, nëse qytetarët do të kenë tarifë të lirë të energjisë elektrike gjatë ditës pas Vitit të Ri. Kjo ende është duke u negociuar. Nëse hiqet tarifa e lirë, atëherë qeveria planifikon subvencione shtesë për kategoritë e cenuara të qytetarëve për të paguar faturat e energjisë elektrike. Ajo që është e sigurt është se mbetet tarifa e lirë gjatë orëve të natës dhe të dielave. EMV një ditë më parë ia dërgoi Qeverisë llogaritjet për shpenzimet, pas së cilës ata u obliguan që ofertën ta bëjë dhe ta dërgojë në EVN Home më së voni deri në datën 9-të. Autoritetet sigurojnë se 100 për qind e energjisë elektrike të nevojshme të Furnizuesit Universal për amvisëritë do të sigurohet nga EMV. Tetëdhjetë për qind e energjisë elektrike do të jetë nga prodhimi vendas dhe 20 për qind e mbetur do të blihet nga bursat./AlsatM