Reformat, pajtimi, paqja në rajon janë të rëndësishme për integrimin europian, tha ministri gjerman i Shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth në Tiranë. Por nuk ka kushte të vëna Shqipërisë për refugjatët.
Në Tiranë, Komisioni Europian dhe qeveria kanë filluar hapat e para të procesit të vlerësimit analitik të reformave të deritanishme. Ky proces do të tregojë qartë, se ku janë legjislacioni dhe institucionet e Shqipërisë në raport me ato të BE. Këtë thelb të procesit të vlerësimit analitik, i njohur edhe si “screening” autoriteteve të Tiranës, ua bëri të qartë së fundmi edhe Michael Roth, Ministri i Shtetit për Çështjet Europiane në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, gjatë një vizite zyrtare në Tiranë, të dielën ( 22.07.2018).
Luftë të vendosur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit
“Në radhë të parë, këtu bëhet fjalë për krijimin dhe ndërtimin e një shteti ligjor të fortë dhe solid, për krijimin e një sistemi drejtësie të pavarur, sikundër dhe për një luftë të vendosur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha Ministri Roth në konferencën e përbashkët për shtyp me Ditmir Bushatin, Ministri shqiptar për Europën dhe Çështjet e Jashtme.
Reformat në fushat e mësipërme janë ҫelësi i suksesit edhe për Ministrin Bushati. “Rruga para nesh nuk është e lehtë. Ne kemi një pasqyrë të qartë të sfidave dhe vështirësive që shtrihen para nesh. Na duhet të vijojmë me konsolidimin e procesit të reformave kryesisht në fushat që janë kritike për sundimin e së drejtës në ekonomi, luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit, thellimin dhe konsolidimin e procesit të vetting-ut dhe ndërtimin e institucioneve të reja të drejtësisë” tha ai në konferencën e përbashkët për shtyp.
Roth: Stabiliteti i Europës Jug-Lindore i lidhur me integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor
Gjermania do të vazhdojë të mbështesë me vepra konkrete procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor ( BP) në BE. Michael Roth tregoi në Tiranë edhe arsyen kryesore pse Gjermania ofron mbështetjen e saj: hyrja e rajonit në BE siguron stabilitetin e gjithe Europës Jug Lindore dhe më gjerë.
“Nisur nga konfliktet aktuale në nivel ndërkombëtar është mjaft e rëndësishme që ne si kontinent evropian, pra vendet e BE-së, por edhe Ballkani Perëndimor, të qëndrojmë së bashku në mënyrë të tillë që të sigurojmë stabilitetin e këtij kontinenti. BE, Qeveria Federale vazhdon t’i qëndrojë fjalës së saj që pikërisht stabiliteti i rajonit të Evropës Juglindore të jetë i lidhur me një perspektivë konkrete dhe reale të integrimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. BE dhe perspektiva e anëtarësimit në të do të ishte siguria më e mirë” tha ai dje në Tiranë.
Kontributi i Maqedonisë dhe Shqipërisë për ҫështjen e emigrantëve – i mirëpritur
Përveҫ vazhdimit dhe thellimit të reformave Shqipëria ka edhe sfida të tjera që duhet t’i përballojë me sukses deri në qershor 2019. Dy janë kryesore: mbyllja e rrugës së re të refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut që mbrrijne në Shqipëri për të synuar më pas vendet e BE dhe zgjidhja e divergjencave me Greqinë, kjo e fundit është madje më shumëse një sfidë, është një detyrim, detyrë shtëpie për t’u kryer.
Në përgjigje të pyetjes së DW sesi Gjermania mund ta mbështesë Shqipërinë në çështjen e mbylljes së rrugës drejt Shqipërisë të refugjatëve, Ministri Roth tha se citoj “nuk ka asnjë lloj kushti që ne t’i kemi vendosur Shqipërisë për mbylljen e kufijve për rrymën e emigrantëve që vijnë nga vendet e Afrikës së Veriut apo për hapjen e kampeve të pritjes së këtyre emigrantëve ose refugjatëve”.
“Nuk ka absolutisht asnjë lidhje të drejtpërdrejtë të kësaj problematike me çështjet e integrimit. Të gjitha palët evropiane jemi të interesuara të gjejmë një zgjidhje të përbashkët për sa i përket çështjes së azilkërkuesve apo të emigrantëve, në bazë të vlerave të solidaritetiut dhe humanizmit, që na bashkojnë. Në këtë kontekst, sigurisht që Shqipëria dhe Maqedonia janë të mirëpritura të japin kontributin e tyre” theksoi ai.
Bushati: Ka një strategji të orkestruar për t’i mbajtur peng marrëdhëniet shqiptaro-greke
Ministri gjerman i Shtetit për Çështje Europiane, Michael Roth, u ndal edhe në rëndësinë që ka pajtimi, paqja dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve mes vendeve në BP, për progres në procesin e afrimit me BE. Në konkluzionet e Këshillit Europian zgjidhja e mosmarrëveshjeve me fqinjët është një kusht për t’u plotesuar. Në krye te tyre mbetet Marrëveshja e Detit, në bazë të ligjeve ndërkombëtare. Edhe pse autoritetet e larta të Athinës dhe Tiranës kanë deklaruar se ka progres, konkretisht marrëveshja ende nuk është finalizuar.
I pyetur nga DW se si po ecin negociatat dhe pse kjo marrveshje nuk po finalizohet, Ministri Bushati tha: “Kemi hedhur hapa substanciale për disa çështje që konsideroheshin deri para disa vitesh tabu. Por nga ana tjetër, për fat të keq shohim qartë dita ditës se ka një strategji të qartë të orkestruar për ta mbajtur peng dhe për të mos lejuar që marrëdhënia shqiptaro-greke të çlirojë energjinë që ajo mundet. Besojmë se jemi në një rrugë të mbarë për të arritur një marrëveshje që do të jetë e zbatueshme, e drejtë dhe shumë më e mirë se ato që kemi parë në të shkuarën.”