Një pacient në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas dje në mesditë ka dëmtuar orenditë e dhomës së reanimimit në këtë qendër.
Drejtori i QKMF-së në Drenas, Ismet Bogiqi, thotë se deri tek incidenti erdhi pasi pacienti kishte kërkuar nga mjeku kujdestar t’ia pastroj plagën, ndërsa ai sqaron se në vikend pastrohen vetëm plagët e shputave diabetike dhe infeksionet pasi që janë plagë që duhet pastruar çdo ditë, gjë të cilën pacientit ia ka sqaruar edhe mjeku kujdestar.
“Një pacient ka ardhë me marrë shërbim dje, të dielën, për pastrim të plagës, mirëpo të shtunën dhe të dielën punon vetëm kujdestaria dhe i trajtojmë vetëm plagët që duhet trajtuar për çdo ditë, shputat diabetike dhe infeksionet, jo plagët e ftohta”, sqaron drejtori për KALLXO.com.