Shkolla fillore “Naim Frashëri” në Reçicë të Vogël u lëshua në përdorim këtë vit shkollor vetëm për klasën e parë. Hapja solemne e kësaj shkolle ende nuk është bërë, nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk thanë se hapja zyrtare e shkollës do të realizohet pas dorëzimit të inventarit nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe mbetet MASH të informoj për hapjen zyrtare të shkollës, por nga kjo e fundit nuk japin përgjigje në pyetjet.Ndonëse shkolla shumë e pritur, premtuar dhe e stërdiskutuar në Reçicë të Vogël u përfundua në shtator, ajo ende funksionon vetëm me një klasë, gjegjësisht klasën e parë e cila filloi me 1 shtator të këtij viti.
Nga Komuna e Tetovës thanë se punimet kanë përfunduar dhe pritet të dorëzohet inventari nga ana e Ministrisë së Arsimit.“Hapja zyrtare e shkollës do të realizohet pas dorëzimit të inventarit nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, mbetet MASH të informoj për hapjen zyrtare të shkollës.” thanë nga Komuna e Tetovës.Në këtë shkollë ende nuk është bërë bartja e nxënësve të tjerë, dhe për këtë nga Komuna e Tetovës thanë se ndarja e nxënësve në shkollë bëhet në bazë të ligjit për arsim fillor ku në mënyrë decide përshkruhet se ndarja bëhet në bazë të rajonizimit.
“Shkolla fillore Naim Frashëri ka bërë kërkesë për financime të reja për personel administrativ dhe teknik ndërsa sa i përket arsimtarëve do të bëhet shpërndarja e të njëjtëve nga ana e drejtorisë së shkollës nga të punësuarit momental të shkollës fillore Naim Frashëri.” thanë nga Komuna e Tetovës.Kujtojmë se ishkryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi në ditën kur filloi klasa e parë mësimin në këtë shkollë tha se ishin në pritje të pëlqimeve nga ana e Ministrisë së Arsimit për angazhimet e reja dhe bartjen graduale të nxënësve tjerë.
Shkolla e sapo ndërtuar ka hapësirë prej 3,500 metër katror dhe i tërë projekti ka kushtuar rreth 1,4 milion euro. Kapaciteti i shkollës është për 560 nxënës në dy ndrime, domethënë 280 nxënës për një ndrim.Ndryshe, kjo shkollë u ndërtua pas 9 viteve premtime parazgjedhore. Duhet ndjekur dinamikën e punimeve për ndërtimin e kësaj shkolle, për shkak se njëjta është një nevojë e madhe për të rinjtë e këtij vendi, në këtë vendbanim rreth 1000 nxënës i ndjekin mësimet disa kilometra larg shtëpive të tyre, një pjesë në Reçicën e Madhe dhe pjesa tjetër në shkollën “Naim Frashëri” në Tetovë.