Ja çfarë thonë ekspertët për fillimin e negociatave RMV-BE

BE-ja ka dhënë sinjale serioze për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, mirëpo me këtë të parën sërish problem mbetet vetoja bullgare, e cila siç duhet të paktën nuk do të hiqet në dhjetor. Por sidoqoftë, shteti fqinj Bullgaria, ka shprehur gatishmëri për ta zgjidhur ngërçin me Maqedoninë e Veriut, vlerësojnë njohësit e çështjeve eurointegruese.

Selim Ibraimi, për Portalb.mk, thotë se BE-ja ka dhënë disa sinjale pak më  serioze se është e gatshme të nisë bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, mirëpo pasi shumë pak punë është bërë nga Komisionet që të largohet vetoja bullgare para 15 dhjetorit, kjo tregon se duhet parë 2022 për fillimin e bisedimeve më BE-në dhe natyrisht pritjen e madhe që Sofja zyrtare të ketë hequr veton në Bruksel.

“Presioni i deritanishëm ndërkombëtar nuk është ushtruar ndaj individëve të duhur dhe qeverisë bullgare, për shkak të mbajtjes së një farë balance në mes BE-së dhe Bullgarisë dhe në mes ShBA-së dhe Bullgarisë për arsye të marrëveshjeve strategjike që i ka Uashingtoni më Sofjen. Tani e tutje do të shohim një ushtrim gradual të ndikimit të ShBA-së në qeverinë bullgare. Këtu gjithashtu do të shohim një ndryshim të qëndrimeve dhe të autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, pasi një pjesë të punës së Komisionit e pengojnë anëtarët nga Shkupi ku duhet të përmbyllin çështjet identitare dhe historike me Bullgarinë. Shpresat që vinë nga BE duhet dalluar nga deklaratat e partive politike dhe individëve të caktuar të qeverisë që për pikë politike bëjnë keqpërdorimin e procesit të euro-integrimeve. Dhe tjera është se nuk kanë njohuri të dinamikave të burokracisë së Brukselit ndaj Ballkanit dhe hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, vlerëson Ibraimi.

Narrativa e disa zyrtarëve të politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut, shton Selimi, ndryshoi javën e kaluar nga data e 15 dhjetorit në fokusin e bllokadës bullgare e cila tregon për pasigurinë që ekziston në Shkup rreth datës dhe negociatave. Megjithatë, Selimi konsideron se, me rëndësi është të punohet në drejtim të çështjeve problematike në mes dy vendeve dhe 2022 ta gjejë rajonin në gjendje më të mirë të euro-integrimeve.

Nga ana jetë, njohës i këtyre çështjeve Nano Ruzhin, thotë se fitorja e Rumen Radevit shënoi një lloj përqasjeje ndaj një opsioni realist për të cilin ekzistonte parashikim nga ana e presidentit francez Macron dhe pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar si një realitet që do të mundësojë zgjidhje më të lehtë të mosmarrëveshjes midis Shkupit dhe Sofjes.

“Në takimin e Bashkimit Evropian me liderët ballkanikë të mbajtur muajin e kaluar në Bërdo Kranj, sipas disa informacioneve, pala bullgare ka shprehur gatishmëri para Macronit, i cili ka vërejtur se Bullgaria po bën një lojë të gabuar në Ballkan, domethënë presidenti bullgar ka treguar mundësi që të zgjidhet problemi, pasi bëhet fjalë për disa pika që nuk vënë në dyshim as identitetin dhe as përkushtimin e vendit tonë dhe mbi të gjitha të popullit, atë që opozita kundërshtonte më shumë. Gjegjësisht, sikurse Greqia, Bullgaria po përpiqet që qeveria jonë të sigurojë që Maqedonia e Veriut të mos ketë pretendime territoriale ndaj Bullgarisë. Pastaj, ekziaton mundësi e lehtë që të zgjidhen problemet rreth çështjes së pakicave, pasi dihet përgjithësisht se me atë problem merret Këshilli i Evropës”, vlerëson Ruzhin.

Ruzhin, vlerëson më tej se pavarësisht gjithçkaje që dëgjuam nga fushata si nga partia fituese ashtu edhe nga presidenti Radev, ekziston një përfundim i përgjithshëm se problemet duhet të zgjidhen deri aty sa që Bullgaria të ndihet tashmë e izoluar, kurse për zgjidhjen e çështjes së vendit tonë, gjegjësisht fillimin e negociatave dhe marrjen e një date qëndrojnë vendet më të forta evropiane, motorët e Evropës në të cilat është bashkuar edhe siç e dimë Holanda.

“Sigurisht, kjo për të cilën po flas është vetëm një lloj përmbledhje e informacioneve dhe indikacioneve të ndryshme, fjalime të diplomatëve të ndryshëm, shpresoj që këto deklarata të mos jenë të gabuara. Ne si analistë nuk mund të themi me siguri se do të jetë vërtet kështu, pasi në politikë gjithmonë ekziston mospërputhje mes asaj që doni dhe asaj që ndodh në fund. Prandaj, gjithçka që thashë duhet marrë me kusht, por fakti është se nuk mund të mohojmë se nuk ka dëshirë nga ana e palës bullgare, pasi e kemi parë tashmë nga reagimet e para të kryeministrit të ri, të ri, liderët e rinj dhe sipas kësaj mund të konkludojmë se mund të mbizotërojë njëfarë optimizmi për zgjidhjen e problemit tonë me Sofjen”, shprehet Ruzhin.

Ndërkohë së fundmi kreu i shtetit bullgar Rumen Radev, në një bisedë telefonike me komisionerin për zgjerim të BE-së, Oliver Varhei ka thënë se Bullgaria pret që dialogu bilateral me Republikën e Maqedonisë së Veriut të çojë në rezultate konkrete.

Radev, siç thuhet në njoftimin e kabinetit të tij, theksoi respektimin e të drejtave të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët e demonstrojnë hapur identitetin e tyre bullgar, si dhe çrrënjosjen e gjuhës së urrejtjes dhe respektimin e historisë dhe trashëgimisë kulturore bullgare, siç tha ai, te fqinji jonë jugperëndimor.

Kujtojmë se presidenti bullgar, Rumen Radev në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor më 6 tetor në Slloveni deklaroi se, përderisa bullgarët në Maqedoni i nënshtrohet asimilimit suptil dhe u shtypen të drejtat themelore në raport me etnitë tjera, Bullgaria nuk do të thotë “po” për fillimin e negociatave me BE-në.

Përndryshe, Bullgaria është kundër pranimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve historike dhe gjuhësore. Por edhe nëse ka ndonjë marrëveshje, gjendja e keqe pasqyron paralizën e planit të BE -së që të ndërtojë “unazë miqsh” nga Ukraina në Tunizi, duke ofruar lidhje më të ngushta, por edhe tregti dhe ndihmë.
Bullgaria nga fundi i vitit 2020, bllokoi fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE -së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Të dy vendet nënshkruan Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por përfaqësuesit e të dy vendeve kanë fajësuar njëri -tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.

Megjithatë Bashkëkryetari i koalicionit “Ndryshimi vazhdon”, Kiril Petkov, i cili fitoi në zgjedhjet parlamentare të së dielës në Bullgari dhe është kandidati më serioz për kryeministër të ardhshëm, po jep shpresë në lidhje me marrëdhëniet bullgaro-maqedonase, duke thënë se nuk duhet të rrënohet i gjithë procesi i fqinjësisë së mirë me Maqedoninë e Veriut dhe ata të pranohen në BE vetëm në bazë të një kriteri – historisë.