Kanë arritur edhe dy raporte tjera në prokurori nga ekspertizat për zjarrin në Spitalin Modular – Tetovë


Prokuroria Themelore Publike njofton se deri tek ata kanë arritur edhe dy raporte tjera të ekspertizave përpos asaj të Kr*im-Teknikës për arsyet direkte të zjarrit në Spitalin Modular – Kovid në Tetovë që shpërtheu më 8 shtator dhe në të cilin humbën jetën 14 persona.

Nga Prokuroria thonë se lënda ende është në fazë të procedurës parahetimore në të cilën intensivisht po punohet për konstatimin e fakteve. Pos raportit nga ekspertiza e publikuar, në Prokurori kanë arritur edhe dy ekspertiza tjera.

“Ka arritur ekspertiza e Sektorit për Kontrolle Ekspertiza Kr*iminalistikë (SKEK), të cilin Prokuroria menjëherë e ka publikuar dhe i cili ka të bëjë me arsyet direkte të zjarrit. Janë urdhëruar edhe kryer edhe dy ekspertiza nga Fakulteti Teknologjik dhe nga Fakulteti i Elektroinxhinerisë. Raportet kanë ardhur në Prokurori dhe po analizohen në korrelacion me provat tjera të arritura”, thonë nga Prokuroria, duke mos treguar detaje për raportet.

Ata shtojnë se pritet ekspertiza nga ekspertët gjerman, e cila u kërkua nëpërmjet ndihmës ndërkombëtare juridike, e cila ende nuk ka arritur.
Në ndërkohë, sipas tyre, po dëgjohen dëshmitarë dhe persona tjerë të cilët kanë njohuri për ngjarjen.

Prokurorët ende nuk kanë arritur që të identifikojnë fajtorin/ët për zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë, pavarësisht se kanë kaluar dy muaj, ata ende janë në pritje të ekspertizave që i kanë urdhëruar, në mesin e të cilave është edhe ekspertiza e ekspertëve gjerman.

Sipas raportit të kr*im-teknikës së MPB-së, që e zbardhi Prokuroria, zjarri është shkaktuar nga kablloja-vazhduese në të cilin ka qenë i kyçur defibrilatori, por kjo nuk nënkupton se është zbardhur rasti dhe ky rast të përcillet me vetëm “ngushëllime për ata që humbën jetën”.

Deri sot nuk kemi një përgjigje konkrete se a ka pasur ose jo spitali sistem kundër zjarrit. Dëshmitarët që i kanë shpëtuar tmerrit kanë deklaruar se nuk ka pasur, por autoritetet përkatëse ende nuk konfirmojnë diçka të tillë. Nëse ka pasur, ku kanë qenë që pacientët nuk kanë mundur t’i gjejnë, kur janë kontrolluar së fundmi herë që funksionojnë ose jo?

Nuk e dimë ende se materiali me të cilin është ndërtuar a ka qenë rezistent ndaj zjarrit, edhe pse autoritetet thonë se spitali i ka përmbushur të gjitha standardet. Spitali është djegur vetëm për disa minuta dhe me plotë të drejtë qytetarët kërkojnë përgjigje ndaj pyetjes, nëse i ka përmbushur të gjitha standardet pse është djegur kaq shpejtë?

Nuk dihet se kush e ka bërë raportin për specifikat teknike të objektit. Prokuroria vetëm mbledh dokumentacione, por nuk i ndan me opinionin që qytetarët ta shohin dokumentacionin e ndërtimit të objektit.

Çështja tjetër, e cila gjithashtu është skandaloze, e për të cilën deri më tani askush nuk ka dhënë përgjegjësi është se në mesin e viktimave ka pasur edhe dy familjarë të pacientëve që janë kujdesur për familjarët e tyre.

Ndryshe, më 8 shtator në orën 21:02 qendra-kovid në Tetovë u kaplua nga zjarri, ku jetën e humbën 14 persona (8 gra dhe 6 burra në moshë prej 29 deri 78-vjeç, 12 prej tyre ishin pacientë dhe 2 familjarë të viktimave që janë kujdesur për ata). Më 10 shtator, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij, Ilir Hasani së bashku me dy drejtorët e spitalit të Tetovës, Artan Etemi dhe Florin Besimi, kanë njoftuar për dorëheqje për arsye morale. Kryeministri Zoran Zaev pas disa ditëve sqaroi se nuk i ka pranuar dorëheqjet dhe se Filipçe, Hasani, Etemi dhe Besimi do të vazhdojnë të jenë në funksion, derisa të mbarojë hetimi.