Në UT u organizua Seminari XV Ndërkombëtar i Albanologjisë


“Shqiptarët dhe kultura e kujtesës” ishte tema boshte e Seminarit XV Ndërkombëtar të Albanologjisë, i cili i zhvilloi sot punimet në Universitetin e Tetovës. Në këtë veprimtari shkencore morën pjesë studiues të gjuhës, letërsisë, historisë, etnologjisë, gazetarisë etj., të cilët i paraqitën punimet e tyre në pesë sesionet shkencore.Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Hazir Pollozhani, në fjalën e tij i përshëndeti të pranishmit dhe tha se, këtë vit Seminari organizohet në një datë të veçantë të historisë sonë, pikërisht në 113- vjetorin e Kongresit të Manastirit, Alfabetit të Gjuhës Shqipe.“Seminari i këtij viti i zhvillon punimet me temën qendrore: “Shqiptarët dhe kultura e kujtesës”, një tezë e cila besojmë se i ka nxitur studiuesit e kësaj fushe për të trajtuar tema me vlera të rëndësishme dhe me peshë shkencore. Seminari i Albanologjisë është vazhdimësi dhe në shërbim të këtij qëllimi me porosi të mëdha humane dhe civilizuese”, tha Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Hazir Pollozhani.

Po ashtu, ai u shpreh se, mbajtja e Seminarit ka një rëndësi të madhe, jo vetëm për Universitetin tonë, si institucion i lartë arsimor-shkencor dhe organizator i tij, por ai është i rëndësishëm për gjithë shkencën e albanologjisë. “Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë, është i vetmi aktivitet shkencor në hapësirën mbarëshqiptare, i cili përfshin studiues nga katër fusha të albanologjisë. Seminari është njëkohësisht veprimtari shkencore dhe atdhetare, i cili i shërben shkencës, arsimit dhe kulturës kombëtare. Objektivi i këtij Seminari, tanimë tradicional, është që të tubojë figurat më të spikatura të Albanologjisë. Shkenca dhe dituria, arsimi dhe edukimi i gjeneratave të reja, mbi baza të shëndosha shkencore, ka qenë dhe do të mbetet qëllim parësor dhe detyrim profesional”, u shpreh Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Hazir Pollozhani.

Pjesë e panelit ishte edhe profesoresha dhe njëherit edhe Sekretarja Shkencore e Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë, Prof. Dr. Emine Shabani, e cila në fjalën e saj u fokusua në përvjetorin e Kongresit të Manastirit, Alfabetit të Gjuhës Shqipe.Në këtë ceremoni solemne studiuesi i njohur nga Republika e Kosovës, Prof. Dr. Naser Pajaziti, e prezantoi punimin shkencor për pasaktësitë semantike, stereotipet dhe shmangiet e normës sintaksore në mediet e reja.Drejtori i Seminarit, Prof. Dr. Salajdin Salihu deklaroi se përkundër vështirësive që i kanë hasur si pasojë e pandemisë, kanë arritur ta ruajnë traditën e këtij Seminari dhe ta vazhdojnë punën me shpresë se vitet që vijnë do të jenë më të rehatshme dhe do t’u krijojnë mundësi edhe për një riformatim të tij. “Përse kemi nevojë për kulturën e kujtesës? A mund ta harrojmë të kaluarën në emër të së nesërmes? Dëgjojmë të thuhet se duhet të harrohet e kaluara që të ecet më qetë drejt së ardhmes. Por ne nuk jemi vetëm e tashmja.

Jemi edhe e kaluara jonë, të cilës nuk mund t’i ikim edhe nëse duam. “Të vdekurit mbase janë ende gjallë” – thotë Dostojevski, ky apologjet i njerëzve të fyer dhe të poshtëruar, i cili me artin e tij “e ndryshoi kiminë e intelektit njerëzor” (F. Iskander). Njeriu si qenie e pa përkufizuar është sa fizike po aq metafizike, sa racionale, po aq ëndërrimtare. Atë nuk e ka formuar vetëm koha aktuale. Ai e dëgjon zërin e stërgjyshërve të largët dhe të panjohur, njëherësh e përçon zërin e tij drejt atyre që nuk kanë ardhur në këtë botë. Për njeriun, thotë shkrimtari Hose Saramago, “e kaluara është e përhershme”, kurse vetë njeriu është “kujtesa e vetvetes dhe e të tjerëve njëherësh”, theksoi Prof. Dr. Salajdin Salihu. Ai po ashtu veçoi: “Psikologu Gustav le Boni, te Psikologjia e racave, një libër sa i vlerësuar, po aq i kontestuar, thotë: se një popull udhëhiqet nga të vdekurit më tepër sesa nga të gjallët; se të vdekurit janë zotët e padiskutueshëm të të gjallëve; se të gjallët e mbajnë peshën e gabimeve të të vdekurve ose e marrin shpërblimin e virtyteve të tyre. Pra, e kaluara është brenda nesh, sepse ne jemi qenie kulturore dhe me kujtesë. Kurse kultura, mbi të gjitha, lidhet me të kaluarën”, tha ndër të tjera Drejtori i Seminarit të Albanologjisë, Prof. Dr. Salajdin Salihu.

Seminari XV Ndërkombëtar i Albanologjisë punimet i zhvilloi në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës, ku pjesëmarrësit i prezantuan punimet e tyre në sesionin shkencor të historisë, etnokulturës, medies, letërsisë dhe gjuhësisë.