Në ditën botërore të trurit, autoritetet shëndetësore ngrenë shqetësimin se 12 mln persona humbin jetën çdo vit në botë nga sëmundjet që i atribuohen ndotjes së ajrit.
Sëmundjet më të shpeshta janë: ishemia cerebrale, sëmundjet kardiake dhe tumore të mushkërive.
Ndotja e ajrit, më të cilën përballen qytetet industriale dhe ato në zhvillim është një rrezik për një sërë sëmundjesh për banorët.
Në Shqipëri, problematikat e ndotjes së ajrit të konstatuara në raportet e mëparshme është Tirana, Elbasani dhe Fieri, ndërkohë që ISHP raporton referuar statistikave ndërkombëtare se vdekshmëria nga sëmundjet që i atribuohen ajrit të ndotur është 12 milionë vdekje çdo vit, në mbarë botën.
Këto vdekje shkaktohen nga sëmundjet e zemrës si infarkti i miokardit apo insufiçenca kardiake kongjestive, shkaqet neurologjike si ishemia cerebrale, sëmundjet e mushkërive dhe kanceri.
Përveç ishemisë cerebrale, ndikimi i ajrit të ndotur në tru përbën një shqetësim gjithnjë në rritje.
Krahas ajrit të ndotur në ambientet e punës (ekspozimi i personelit shëndetësor ndaj kimioterapisë)është rritur shqetësimi ndaj ajrit të ndotur edhe në natyrë (kontaminimi biologjik i sipërfaqeve ujore në botë).
Cilët janë ndotësit e ajrit?
Disa gazra, si dioksidi i karbonit dhe metani, që emetohen në mënyrë të natyrshme nga shpërbërja e plehrave organike. Shumica e përbërësve të ndotjes së ajrit krijohen nga njeriu.
Burimi kryesor i ndotjes ndodh si pasojë e përdorimit të gjerë të hidrokarbureve për prodhimin e energjisë për industrinë, transportin, kontrollin e temperaturave atmosferike (ngrohje dhe ftohje).
Aktivitete të tjera, të tilla si puna në agrokulturë, mbarështimi i gjësë së gjallë dhe shkatërrimi i pyjeve.
Studimi i fundit mbi Barrën e Sëmundjeve në Botë pasqyron një hulumtim për 188 vende ku vërtetohet se ajri i ndotur ndikon në 30 % të shkaqeve së ishemisë cerebrale.
Kjo sëmundje renditet e dyta në shkaktarët e vdekjeve të personave mbi 60 vjeç, është një nga shkaqet kryesore të shtrimeve në spital dhe një faktor rreziku për zhvillimin e sëmundjes së demencës.