Ministria e Punëve të Brendshme ka konfirmuar se atentati ndaj prokurorit publik ndërlidhet me rastin që figuronte në raportin e sotëm policor ku ishin arrestuar tre persona, mes tyre edhe një fëmijë.
Që të tre ishin arrestuar pasi kishin sulmuar me mjet të mprehtë, ku siç sqarojnë nga Prokuroria Publike, ka qenë thikë.
Personi i sulmuar nga Prokuroria mësohet se është prokuror publik, ndërkaq sulmin e kanë cilësuar si përpjekje për vrasje – atentat. Atentatorët tashmë janë arrestuar dhe prokurori gjendet për mjekim në klinikat e Shkupit.
Atentatorë janë N.S. dhe B.F., kurse prokurori H.I.
“Më 21.11.2021 në ora 06.10 policët nga sektori policor Çegran kanë arrestuar nga liria N.S.(40), birin e tij të mitur (fëmijë), që të dy nga Çegrani dhe B.F.(41) nga fshati Cerovë, për shkak të ekzistimit të dyshimit se rreth orës 05:30 në fshatin Çegran e kanë sulmuar me mjet të mprehtë H.I. nga fshati Forinë, duke i shkaktuar lëndime. Pas zbardhjes së plotë të rastit do të parashtrohet kallëzim përkatës”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Ndërkaq nga Prokuroria Publike paraprakisht kanë njoftuar se:
“Gjatë mëngjesit të sotëm, në ora 05:30 në fshatin Çegran, Gostivar, është kryer përpjekje për vrasje të prokurorit publik të Prokurorisë Publike Gostivar. Prokurori publik është jashtë rrezikut për jetë dhe është nën kujdesin mjekësor në klinikat e Shkupit. Prokurori publik është sulmuar me thikë duke iu shkaktuar plagë në gjoks. Prokuroria Publike ka ndërmarrë aktivitete për zbardhjen e rastit”.