Të hënën vendoset për masat e reja kufizuese!


Të hënën duhet të vendoset për propozim-masat e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, ku kërkohet që punonjësit e sektorit publik të dorëzojnë certifikatë për vaksinim, test negativ me harxhime të tyre ose certifikatë për infektim. Autoritetet shëndetësore theksojnë se këto masat duhet të zbatohen, ndërsa sindikatat thonë se testimi nuk duhet të jetë në xhep të punonjësve. Për këto propozim-masa do të bisedohet në mbledhjen e Shtabit të Krizës dhe më pas në qeveri.

Sipas ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçes, masat që i propozon Komisioni, në mënyrë të kombinuar aplikohen kudo nëpër Evropë. Disa vende sipas tij, kanë masa të ngjashme ose më rigoroze. Ato siç përmendi përdoren në Gjermani, Austri, Kroaci, kurse në Greqi tha se mendohet që të vendoset ndalesë e plotë për hyrje në ambiente të mbyllura.Nga Ministria e Shëndetësisë këmbëngulin se nuk bëhet fjalë për vaksinim të detyrueshëm, por qytetarëve u lihet opSion ose të tregojnë test negativ PCR, të cilin duhet ta paguajnë vetë, ose të vaksinohen pa pagesë.

Përndryshe numri i personave të infektuar me koronavirus përsëri është në rritje. Në bazë ditore shënohen mbi 400 raste të reja, ndërsa shifrat e të vdekurve çdo ditë janë dyshifrore.Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë 38% e popullsisë së përgjithshme është vaksinuar me dy doza vaksinash. Po ashtu 57% e popullsisë mbi 40 vjeç është vaksinuar me dy doza vaksinash.

Vëmendja tek virusi u kthye pas përfudnimit të zgjedhjeve lokale që pati vendi. Si gjatë fushatës ashtu edhe ditën e zgjedhjeve ku partitë festonin për fitore nëpër komuna, kishte turma prej qindra e mijëra njerëzish, të cilët nuk respektonin as distancë e as nuk përdornin maska mbrojtëse.