Një deklaratë e deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu – Kodra nxiti reagime të shumta ndër figura publike në vend. Deliu gjatë seancës në një replikim me ministrën e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi mes tjerash se kunati i ministres është i akuzuar për terrorizëm në Maqedoninë e Veriut, shkruan Syri net Kosova. Është deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha ai i cili vlerësoi se Deliu duhet të kërkojë falje. Sipas Berishës, personat e përfshirë në rastin e Kumanovës mund të kenë pasur synim bashkimin kombëtar.
“Por ti (Albulena Haxhiu) si duket e ke më të rëndësishëm i thënë diçka një deputeti tjetër apo me u fjalor, pastaj ndodhi ajo tjetra, të kisha lutë të rrish në temën që të intereson ty dhe ne e dhamë fjalën dhe kemi me votu ligjet. Ndërsa për deputeten dhe PDK-në i ftoj me u kërku falje familjeve për atë deklaratë, jo me i kërkua falje ministres se kjo ndodh që bëhet nervoz edhe kjo flet ashtu, mirëpo atyre familjeve, atyre njerëzve është tepër edhe nuk kërkohet prej neve me cilësi askënd terrorist, ndoshta ata janë njerëz që e kanë vazhduar atë ëndrrën për bashkim kombëtar, kjo është e rëndë, pres me reflektu”, ka thënë ai.
Reagim ndaj asaj që tha deputetja e PDK-së në Kuvend pati edhe asamblesti i VV-së në Prishtinë, Egzon Azemi i cili e krahasoi Deliun me ish-ministren e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, Gordana Jankullovska.
“Blerta Deliu apo Gordana Jankullovska Cila foli sot në Kuvendin e Kosovës?”, ka shkruar ai në Facebook.
Më tej është edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi i cili e kundërshtuar plotësisht deklaratën e Deliut.
“Distancohem dhe e kundërshtoj plotësisht deklaratën e Blerta Kodra- Deliut lidhur me ngjarjen dhe grupin e Kumanovës”, ka shkruar ai.
Ndryshe në seancën e sotme të Kuvendit ka pasur përplasje në mes të ministres Haxhiu dhe deputetes Deliu ku kjo e fundit ka thënë se kunati i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu është i akuzuar për terrorizëm në Maqedoninë e Veriut. Ndërsa ministrja Haxhiu ka thënë se Deliu e ka fjalën për rastin e Kumanovës dhe sipas saj vazhdon të mbetët enigmë si ka ndodhur ai rast.