Gjoba prej 300 dhe 400 euro për disa zyrtarë dhe të emëruar, për mosdorëzimin ose vonesën e formularit anketues në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), thanë zyrtarët antikorrupsion në seancën e sotme të Komisionit.Shemshi Salai, anëtarë i KSHPK-së, ka bërë të ditur se një nga ato raste është edhe për një ish-deputet, i cili nuk ka dorëzuar në kohë listën anketuese në KSHPK dhe i cili është dënuar nga komisioni për kundërvajtje me gjobë prej 300 euro.
Anëtari i KSHPK-së, Goran Trpenoski, ka informuar për disa raste të tilla të cilat janë ndërprerë në seancën e sotme nga KSHPK-ja, përfshirë sërish për një deputet, i cili pas përfundimit të detyrës nuk ka dorëzuar pyetësor në Antikorrupsion, pas së cilës është gjobitur në shumën prej 400 euro.
Një rast tjetër i referohet një ushtruesi të detyrës së drejtorit, i cili pas përfundimit të kësaj pozite nuk ka dorëzuar listë anketuese në KSHPK dhe është dënuar me gjobë prej 300 euro. Është konstatuar se dy drejtorë të tjerë pas përfundimit të detyrës nuk kanë dorëzuar listën anketuese në KSHPK dhe për njërin janë dënuar me gjobë prej 300 euro në kundërvlerë në denarë, ndërsa për tjetrin është paguar gjysma e gjobës.
“Për të gjitha rastet me urdhërpagesë për kundërvajtje, të cilat nuk janë paguar, dhe është caktuar gjobë nga Komisioni për Kundërvajtje, nëse nuk paguajnë, shkojnë në arkëtim të detyrueshëm përmes DAP”, sqarojnë nga KSHPK.