Të përzgjidhesh për këngën hapëse të një botërori, mund të jetë një event me rëndësi për çdo këngëtar, por nuk tregon asgjë mbi vlerat artistike të këngës. Ia kanë arritur kësaj edhe këngëtarë ordinerë si Ricky Martin, Shakira apo Pitbull me Jennifer Lopes dhe as ngre as ul gjë në listë edhe Era Istrefi.
Muzika që ajo përfaqëson është thjesht dhe vetëm komerciale pa asnjë vlerë artistike. Ajo ka aftësinë vetëm që të tërheqë masa të mëdha njerëzish, të pakultivuar me art e kulturë, por asgjë përtej kësaj. Kjo është e kundërta e artit, është konsum, mall tregu, tagji për popullin dhe si e tillë, mund ta konsiderojmë ant-iart, një degradim që shkatërron vlerat kulturore të një shoqërie. Kjo lloj muzike është jetëshkurtër. Ajo nuk mbahet mend dhe vdes që me konsumimit të parë. Publiku e harron menjëherë, sapo një hit i ri hidhet në treg.
Dekorimi i Era Istrefit nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi (siç më parë është dekoruar edhe Rita Ora nga ish-presidentja Jahjaga), është në kuadrin e kompleksit të inferioritetit kulturor që shqiptarët shpërfaqin në mënyrë të frikshme dekadat e fundit. Ky akt është ekspozim i fuqishëm i provincialitetit që na përfaqëson në instancat më të larta drejtuese e kudo.
Ti japësh Era Istrefit medaljen jubilare të 10 vjetorit të pavarësisë do të thotë të kesh ngatërrim zorrësh në tru, do të thotë të degjenerosh vlerat më të thella të një shoqërie që ia doli të çlirohet nga një robëri 100 vjeçare, duke i shkartisur këto me vlerat e një kulture që promovon gjithçka profane e vulgare si konsumin, vanitetin, mendjelehtësinë, të mosmenduarit, të qenit bosh, egoizmin, banalitetin etj. Ky lloj pseudoarti është modeli më i keq që mund ti ofrojmë shoqërisë e sidomos të rinjve.
E trishtë të jetosh në një shoqëri ku Era Istrefi merr medalje kombëtare, ndërsa në Kosovë ka artistë brilantë që prodhojnë muzikë të niveleve evropiane. Mund të themi psh. që një kompleks muzikor thuajse i panjohur si Gillespie, u përzgjodh para disa vitesh nga Red Hot Chili Pappers si mbështetës që do të këndonte në koncertin e tyre në Beograd. Ngjarja u anulua për shkak të reagimeve nga serbët, por sidoqoftë vlerësimi mbetet. Për çdo muzikant serioz, ky propozim do të ishte një vlerësim shumë herë më i madh sesa ngjitja në skenën e një botërori për të englendisur turmat e tifozëve.
E njëjta gjë ndodh rëndom edhe në Shqipëri, ku mediokriteti dhe banaliteti janë kudo më të kërkuar dhe më të vlerësuar. Ndërsa prishet godina e teatrit sheshet e bashkisë ushtojnë nga koncertet e sharabajkave të botës që vijnë e pozojnë si yje që po iu hapin sytë edhe shqiptarëve.
Mesazhi që na vjen nga presidenca në Kosovë, siç ndodh rëndom edhe në Shqipëri është i trishtë. Ky shtet nuk interesohet për vlerat, kulturën dhe artin e vërtetë, por vlerëson dhe nderon vetëm çingijet, ndërsa favorizon gjithmonë kopukët, kurvat dhe hajdutët!
Ergys Mërtyri