Maqedonia e Veriut ka shtrënguar masat për mbrojtje nga pandemia e koronavirusit, pas rritjes së rasteve me të infektuar dhe viktima në dy muajt e fundit.Sipas vendimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, të miratuar më 16 nëntor me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, nëpër të gjitha hapësirat e mbyllura, si objektet e gastronomisë, restorante e qendra tregtare nuk do të mund të hyhet pa qenë i imunizuar me dy doza të vaksinës.Institucionet shëndetësore presin që masat të ngrenë vetëdijen e qytetarëve mbi nevojën e vaksinimit dhe parandalimin e përhapjes së virusit.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, në Maqedoninë e Veriut numri i të vdekurve nga COVID-19 ka arritur në 7,337 persona ndërsa raste aktive janë 8,331. Gjithsej të infektuar që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 193,000 persona.Mbi 80 për qind e të infektuarve dhe të vdekurve në dy muajt e fundit janë persona të pavaksinuar.
“Ministria e Shëndetësisë bën apel deri te qytetarët që t’i respektojnë masat dhe të jenë të përgjegjshëm. I bëjmë thirrje qytetarëve të cilët ende nuk janë vaksinuar, që sa më shpejtë ta kryejnë këtë proces. Vetëm me imunitet kolektiv do ta mundim virusin”, thuhet në një njoftim me shkrim të Ministrisë së Shëndetësisë duke bërë të ditur se vendi tashmë ndodhet në valën e pestë të virusit.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, deri më 15 nëntor me një dozë janë vaksinuar gjithsej 815,523 qytetarë, me dy doza janë 785,916, ndërsa dozën e tretë e kanë marrë 56,349 qytetarë. Rreth 57 për qind e popullatës mbi 40 vjeç është vaksinuar me dy doza dhe 33 për qind e popullsisë së moshës 18 deri në 39 vjeç kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.