Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, sot në konferencë për shtyp e ka publikuar programin dhe vendimet që do t’i merr në 100 ditët e para të qeverisjes së tij, pasi e mori mandatin si kryetar i Tetovës.
Kasami tha se fillimisht do të rishikojë të gjitha kontratat dhe marrëveshjet e ndërmarrjeve komunale, shkollave dhe çerdheve dhe të njëjtat do t’i publikojë në opinon, njofton Telegrafi Maqedoni.
Ai gjithashtu tha se do të largohen shtyllat sinjalizuese për korsitë e biçikletave, si dhe parkingu do të jetë pa pagesë deri në një afat të caktuar, gjegjësisht deri sa të shihet puna e ndërmarrjes publike për parkingjet.
“Programi për 100 ditët e para përfshinë: Detektimin dhe rishikimin e të gjitha kontratave, të ndërmarrjeve komunale, shkollave dhe çerdheve; Transmetimi drejtpërdrejt i seancave të këshillit komunal; Aksion mbarëqytetarë për largimin e mbeturinave; Vendosjen e kontejnerëve për klasifikimin e mbeturinave; Riparimi i mundshëm i kontejerëve ekzistues dhe vendosja e tyre shtesë”.
“Mbyllja e të gjitha punimeve të hapura në infrastrukturën rrugore; Largimi i shtyllave sinjalizuese për korsitë e biçikleta; Parkingu i qytetit përkohësisht papagesë; Identifikimi i borxhit të komunës, ndërmarrjeve komunale, shkollave dhe çerdheve dhe publikimi i tyre; Rishikimi i planit gjeneral urbanistik dhe atyre detale”, tha Kasami.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me raportin e punës së komunës, Kasami tha se janë vërejtur shkelje ligjore të afatave dhe shkelje të procedurave të tenderimit. Ai theksoi se brenda një kohe të shkurtë do të publikohet revizioni për punën e komunës, në kohën kur është udhëhequr nga paraardhësja e tij, Teuta Arifi.