Njerëzit kërkojnë alternativa. Janë të frikësuar për shkak të informacioneve rreth rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe masave për shkak të krizës energjetike. Po blihen drunjtë në sasi të mëdha, është regjistruar edhe rritje e kërkesës për pajisje me gaz, por nga ana tjetër, MEPSO-ja po blen bileta avioni, akuzon Goran Nikollov, anëtar i Komisionit për Energjetikë nga VMRO DPMNE.
“Në gjithë këtë kaos rreth krizës energjetike në të cilën LSDM-ja e futi Maqedoninë, menaxhmenti i MEPSO-s në gusht ka vendosur të udhëtojë dhe ka nënshkruar marrëveshje për blerje të biletave avioni për destinacione të largëta dhe evropiane, edhe atë në vlerë prej 125.000 eurove, gjë për të cilën dëshmojnë dokumentet që i siguroi VMRO-DPMNE-ja. Në gusht është nënshkruar marrëveshje për avio-biletë, kur ishte e qartë se kriza galopon në Maqedoni. Shpenzohen para për bileta avioni, edhe pse në vitin 2020 në MEPSO është akumuluar humbje prej 6 milionë eurove. Vetëm sa për të sqaruar – transmetimi i energjisë elektrike është veprimtari rregullatore. Kjo do të thotë se në qoftë se kompania menaxhohet në mënyrë ekonomike, nuk guxon dhe nuk mund të ketë humbje“, tha mes tjerash Goran Nikollov anëtar i Komisionit për Energjetikë nga VMRO-DPMNE.