Qytetarët që vuajnë nga diabeti kërkojnë nga institucionet në vend që terapia për këtë sëmundje të sigurohet në kohë dhe në vazhdimësi.
Dimçe Velev, nga Lidhja e Shoqatave të Diabetikëve, tha sot se një mundësi më e mirë për pacientët që vuajnë nga diabeti dhe për vet institucionet shëndetësore, do të ishte tregu i hapur.
“Ne si vend, me 11.2%, hyjmë në grupin e vendeve me nivel të lartë të diabetit. Ky është tregues alarmant për progresin dinamik të kësaj gjendje shëndetësore. Në këtë kontekst parashtrohet pyetja, qasje deri tek kujdesi për diabetin, nëse jo tani. Kur? Presim sigurim të vazhdueshëm dhe në kohë të terapisë për diabet, por dhe të të gjithë asaj që konsiderohet si risi shkencore dhe mjekësore. Edukimi dhe informimi janë fusha në të cilat duhet të punohet patjetër”, u shpreh Dimçe Velev- Lidhja e Shoqatave të Diabetikëve të Maqedonisë.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se po realizohet procedurë për prokurim të sensorëve për matjen e nivelit të sheqerit në gjak. Sipas tij, kjo procedurë duhet të përfundojë pas rreth dy javësh.
“Kjo do të thotë se në vend të shpimit të gishtit për marrjen të gjakut dhe matjen e nivelit të sheqerit në gjak, të mund të vendosen sensor special përmes pajisjeve elektronike ose telefonit. Të gjithë pacientët që vuajnë nga diabeti, fillimisht deri në moshën 18 vjeç, pasi këtu fillimisht bëhet fjalë për fëmijët, sepse ka prindër që i zgjojnë fëmijët nga gjumi për t’u matur nivelin e insulinës”, tha ministri Venko Filipçe.
Lidhja e Shoqatave të Diabetikëve kërkesat për kushte edhe më të mira për pacientët që vuajnë nga diabeti i prezantoi në Forumin për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Diabetit, 14 Nëntorin. Në Maqedoninë e Veriut sipas të dhënave të Lidhjes së Shoqatave të Diabetikëve , mbi 40,000 pacientë janë me insulinë dhe i përkasin grupit më të rrezikshëm të Covid-19.