Portugalia e bën të paligjshme që shefat të kontaktojnë stafin jashtë orarit të punës


Qeveria e Portugalisë ka prezantuar një ligj të ri që e bën të paligjshme që kompanitë të kontaktojnë stafin jashtë orarit të punës, një nga një sërë masash të reja për të rregulluar punën në distancë dhe për të vendosur një ekuilibër punë-jetë të qytetarëve në vazhdën e pandemisë së koronavirusit.

Bizneset do të përballen me gjoba nëse u dërgojnë emaile punonjësve jashtë orarit të punës dhe do të detyrohen të paguajnë shpenzimet e shtëpisë të bëra gjatë kohës që punonjësit e tyre punojnë nga shtëpia, duke përfshirë faturat e internetit dhe energjisë elektrike.

Stafit me fëmijë do t’i jepet gjithashtu e drejta ligjore për të punuar nga shtëpia derisa fëmijët të mbushin tetë vjeç, pa pasur nevojë që ta aprovojë dikush nga kompania. Kushtet e reja vlejnë vetëm për kompanitë me 10 ose më shumë punëtorë.
“Puna në distancë mund të jetë një “ndryshues i lojës” nëse përfitojmë nga avantazhet dhe reduktojmë disavantazhet,” u shpreh ministrja e Punës, Ana Mendes Godinho.