Gashi: “Të unifikuar nesër do të votojmë për mosbesimin e qeverisë”

Qeveria aktuale ka hyrë në 24 orët e fundit. Sot është eliminuar edhe pengesa e fundit, ndërsa nesër pritet që Kuvendi të votojë për rrëzimin e Qeverisë. Kjo u bë e ditur nga ana e kryetarit të partisë Alternativa, Afrim Gashi, i cili njoftoi se Dimitiar Apasiev ka tërhequr nënshkrimin nga iniciativa për votëbesminin e Qeverisë. Gashi tha se katër deputetët e kësaj partie nesër unanimisht do të votojnë për të rrëzuar Qeverinë aktuale.

Afrim Gashi, kryetar i partisë Alternativa
“Duam të ju informojë se gjatë këtyre ditëve e dini që u paraqit një pengesë mjaft substanciale për neve si parti Alternativa dhe ne mund të ju informojmë se ajo pengesë sot është evituar, zotria Apasiev e ka tërhequr nënshkrimin e tij nga lista për mosbesimin e Qeverisë, dhe ne si katër deputetë të Alternativës, kemi vendosur që unanimisht të unifikuar bashkë nesër të votojmë për mosbesimin e Qeverisë”.

Gashi gjithashtu shtoi se sa i përket mandatarit të ri, pret që së pari të mbarojë faza e parë, ajo e rrëzimit të Qeverisë, ndërsa më pas do të vendosin për hapat e mëtutjeshme. Ai potencoi se partia e tyre do të jetë pjesë e vetëm asaj Qeveria që do të proklamoj vlerat euro-atlantike dhe politikat për fqinjësi të mirë.

Afrim Gashi, kryetar i partisë Alternativa
“Kjo është faza e parë e cila përfundon nesër, pastaj fillon faza e dytë se çfarë do të ndodhë pastaj me formimin e Qeverisë, nuk duam të paragjykojmë, vetëm dua të ju them se Alternativa asnjëherë nuk do jetë pjesë e Qeverisë apo do jetë pjesë e Qeverisë vetëm e asaj qeverie e cila e ka të qartë, të proklamuar kursin e vet euro-atlantik dhe politikat për fqinjësi të mirë”.

Ndërkaq, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar se janë tërhequr 17 nënshkrime të deputetëve. Seanca për votëbesimin e Qeverisë do të fillojë nesër në orën 11:00, dhe duhet të përfundojë me votim para mesnatës.