Më mirë për Tetovën: “Politikanët japin dorëheqje kur i humbin zgjedhjet, por jo kur humbin jetën 14 persona”


Nisma qytetare “Më mirë për Tetovën” e cila ka dy këshilltarë në Këshillin Komunal të Tetovës, sot përmes një deklarate për media pranë Spitalit Modular i cili u dogj para dy muajve, kërkuan përgjegjësi nga autoritetet. Sipas tyre politikanët janë në gjendje të japin dorëheqje kur humbin zgjedhjet, por jo kur humbin jetën 14 njerëz. Ata kërkojnë që hetimet të bëhen pa kursyer askënd, në cilën do qoftë pozitë shtetërore apo partiake të jenë ato.

Hamdi Sulemani, Më mirë për Tetovën
“Tetova dhe opinioni kërkon të dijë deri ku janë hetimet? Përse Prokuroria lëshoi një pjesë të raportit të krim-teknikës pa treguar edhe raportin e ekspertëve gjermanë? A ishte lëshuar ky raport për të shfajësuar përgjegjësit në periudhën parazgjedhore me kërkesë nga Qeveria? Nuk ka ndonjë detaj në lidhje me hetimin e Zyrës së Prokurorit për Krim të Organizuar dhe Korrupsion në lidhje me tenderin dhe spitalet modulare dhe nëse ata i plotësonin standardet themelore të sigurisë, menaxhimit dhe mirëmbajtjes së tyre. Deri sot nuk kemi një përgjigje konkrete se a ka pasur ose jo spitali sistem kundër zjarrit” tha Hamdi Sulemani, nga iniciativa “Më mirë për Tetovën”..

Ai shtoi se fakti që në mesin e viktimave ka edhe familjarë të cilët janë detyruar të kujdesen për të afërmit e tyre, është një akt tjetër kriminal për të cilin prokuroria duhet të kërkojë përgjegjësi penale nga udhëheqësia e spitalit.
“Hetimet të bëhen pa kursyer askënd, në cilën do qoftë pozitë shtetërore apo partiake të jenë ato. Zero tolerancë për kulturën e pandëshkueshmërisë!”, shtoi Sulemani.

Prokurorët ende nuk kanë arritur që të identifikojnë fajtorin/ët për zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë, pavarësisht se kanë kaluar dy muaj, ata ende janë në pritje të ekspertizave që i kanë urdhëruar, në mesin e të cilave është edhe ekspertiza e ekspertëve gjerman.

Sipas raportit të krim-teknikës së MPB-së, që e zbardhi Prokuroria, zjarri është shkaktuar nga kablloja-vazhduese në të cilin ka qenë i kyçur defibrilatori, por kjo nuk nënkupton se është zbardhur rasti dhe ky rast të përcillet me vetëm “ngushëllime për ata që humbën jetën”.

Deri sot nuk kemi një përgjigje konkrete se a ka pasur ose jo spitali sistem kundër zjarrit. Dëshmitarët që i kanë shpëtuar tmerrit kanë deklaruar se nuk ka pasur, por autoritetet përkatëse ende nuk konfirmojnë diçka të tillë. Nëse ka pasur, ku kanë qenë që pacientët nuk kanë mundur t’i gjejnë, kur janë kontrolluar së fundmi herë që funksionojnë ose jo?

Nuk e dimë ende se materiali me të cilin është ndërtuar a ka qenë rezistent ndaj zjarrit, edhe pse autoritetet thonë se spitali i ka përmbushur të gjitha standardet. Spitali është djegur vetëm për disa minuta dhe me plotë të drejtë qytetarët kërkojnë përgjigje ndaj pyetjes, nëse i ka përmbushur të gjitha standardet pse është djegur kaq shpejtë?

Nuk dihet se kush e ka bërë raportin për specifikat teknike të objektit. Prokuroria vetëm mbledh dokumentacione, por nuk i ndan me opinionin që qytetarët ta shohin dokumentacionin e ndërtimit të objektit.
Çështja tjetër, e cila gjithashtu është skandaloze, e për të cilën deri më tani askush nuk ka dhënë përgjegjësi është se në mesin e viktimave ka pasur edhe dy familjarë të pacientëve që janë kujdesur për familjarët e tyre.

Ndryshe, më 8 shtator në orën 21:02 qendra-kovid në Tetovë u kaplua nga zjarri, ku jetën e humbën 14 persona (8 gra dhe 6 burra në moshë prej 29 deri 78-vjeç, 12 prej tyre ishin pacientë dhe 2 familjarë të viktimave që janë kujdesur për ata). Më 10 shtator, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij, Ilir Hasani së bashku me dy drejtorët e spitalit të Tetovës, Artan Etemi dhe Florin Besimi, kanë njoftuar për dorëheqje për arsye morale. Kryeministri Zoran Zaev pas disa ditëve sqaroi se nuk i ka pranuar dorëheqjet dhe se Filipçe, Hasani, Etemi dhe Besimi do të vazhdojnë të jenë në funksion, derisa të mbarojë hetimi.