Greqia vendosi masa më të forta për personat e pa vaksinuar, teksa vendi regjistron një rritje të infektimeve nga coronavirusi.
Personat e pa vaksinuar janë të detyruar të tregojnë një test negativ për të hyrë në ambiente të mbyllura, apo kafene dhe restorante.
Aktualisht vetëm 61% e Greqisë është tërësisht e vaksinuar.
Ndërkohë, Sllovenia urdhëroi një regjim më të rreptë kujdesi për të gjitha aktivitetet, përfshirë punën në distancë ku është e mundur, por edhe rroga më të larta për infermierët.
Në vend nuk do të ketë bllokadë dhe testet e shpejta do të jenë falas ose të financuara nga buxheti i shtetit.
Edhe Islanda përforcoi masat anti-COVID, duke kufizuar grumbullimet dhe bërë të detyrueshme mbajtjen e maskës. 89% e popullsisë mbi 12 vjeç rezulton tërësisht e vaksinuar, por vendi ka regjistruar 179 raste të reja në 24 orët e fundit, një rekord që nga nisja e pandemisë.
Ndërkohë në Austri, vaksinimet po kryhen me shpejtësi pasi kufizime të reja do të hyjnë në fuqi të hënën.
Vetëm certifikata e vaksinimit ose e shërimit nga COVID do të lejojë hyrjen në vende publike dhe evente me mbi 25 persona.
Në qendrën kryesore të vaksinimit, në Vjenë, realizohen nga 1 mijë deri në 1.200 vaksina në ditë.
Ndërsa në Zvicër disa mijëra njerëz mbushën rrugët në qytetin Friburg për të protestuar kundër certifikatës shëndetësore, me manifestuesit që bërtisnin fjalën “liri”.