Çdo ditë alarmi i orës 5 është pikënisja e ditës së saj. Ndërkohë që ajo kryen rutinën e mëngjesit, varur e pret uniforma e hekurosur me kujdes. Kjo është një uniformë që përfaqëson cilësi të tjera nga ata që shoqëria u ka imponuar grave; të fortën, disiplinën, guximin, përpikërinë. Është një uniformë ushtarake. Është uniforma që Vesa Ajdini, tani eprore në Armatën e Republikës së Maqedonisë, ka vendosur ta veshë 5 vite më parë kur edhe mori vendimin të ndjekë një profesion që ndër vite është parë si “terren i meshkujve”. Ishin uniformat e forcave të armatosura që i flinin në zemër dhe siç thotë, nuk kishte ndërmend që të lejonte mentalitetin t’i impononte rrugën që duhej të ndjekë në jetë.
“Shkollën fillore dhe të mesme e kam ndjekur për muzikë, por gjithmonë më kanë pëlqyer profesionet ku duhet të mbash uniformë. Meqë e kisha me pasion këtë profesion, mendova, përse të mos e provoj? Do hy në akademinë ushtarake dhe do ta sfidoj veten. A mundem apo jo të vazhdoj? E sfidova veten një muaj dhe vazhdova më pas. Do thosha që mentaliteti së fundmi po ndryshon dhe fjalitë si “profesion për burra” dhe “profesion për gra” i dëgjon më rrallë.”- thotë Vesa Ajdini eprore ushtarake në Armatën e R. së Maqedonisë së Veriut.
Për të fituar të drejtën që çdo ditë të veshësh një uniformë ushtarake, duhet të dëshmosh se je i denjë dhe se mund t’u bësh ballë stërvitjeve që janë të mundimshme. Siç është dëshmuar tashmë, fillimi është gjithmonë i vështirë, veçanërisht kur duhet të jetosh çdo ditë tënden me një disiplinë të rreptë.
“Në fillim, pra në vitin e parë, një muaj ishim të mbyllur në kazermë. Ishte si stërvitje, për të parë se a mund të durojmë ne në ushtri, apo jo. Pra një muaj jemi të mbyllur, nuk takohemi as me prindër, as me shoqëri, me askënd. Duhet të zgjoheshim në orën 5 e 30, çdo ditë. Në orën 6 ishin stërvitjet e mëngjesit, vrapime, ushtrime, pompa, dhe më pas stërvitjet tjera ushtarake deri në orën 16. Nga ora 16 deri në orën 17 kishim një pushim. Nga ora 17 përsëri kishim disa stërvitje të tjera dhe pastaj nga ora 21 deri të nesërmen në mëngjes ishim të lirë. Një muaj ishte, por shumë i rëndë. Për mua kjo ka qenë pjesa më e vështirë.”- thotë eprorja, ndërkohë që sjellë në mendje fillimet e saj në ARM.
Kur e pyesim nëse ajo ndjehet ndonjëherë më inferiore, në aspektin fizik, ndaj kolegëve të saj meshkuj, Vesa si një ushtarake e vërtetë prerazi thotë:
“Në Armatë nuk ka “gra apo burra”, ne të gjithë jemi ushtarakë. Ne funksionojmë në bazë të gradave dhe zinxhirit komandues dhe jo në bazë të individëve apo gjinisë së tyre. Është proces me rregulla strikte dhe të definuara, mbi të cilat nuk guxon të dalë askush. Janë puna dhe disiplina ato që përcaktojnë se sa sukses do të arrish në një profesion. Në ushtri ndoshta kërkohet më shumë punë dhe disiplinë, por nëse ke një personalitet të fortë, mund të ia dalësh, pa asnjë dyshim”
Vesa Ajdini
Ky profesion nuk e pengon që të gjejë kohë edhe për familjen, sepse siç thotë ajo, një orar pune e kanë edhe ushtarakët. Sigurisht, në shtëpi nuk mund të jetë në disa raste kur stërvitjet janë disa javore. Një situatë e tillë ishte ajo e gushtit, kur për 40 ditë kanë qëndruar në Krivollak dhe u janë nënshtruar stërvitjeve në temperatura të larta. Uniformat nuk e bëjnë më të lehtë përballimin e vapës.
“Ne gratë jemi mësuar me takat dhe sigurisht na pëlqejnë, kjo ishte një nga vështirësitë që hasa në fillim, veshja e çizmeve. Të mbaja çizmet 8 orë në ditë, apo me raste 24 orë më dukej e mundimshme. Tani nuk do i ndërroja takat me çizmet, këto të fundit janë shumë më të rehatshme. Make-up edhe ne mund të kemi gjatë ditës, nuk është e ndaluar, kur nuk jemi në terren, mirëpo nuk na lejohet asgjë e tepruar.”- thotë Vesa, tek e cila gjatë bisedës shihet një ndërthurje e përkryer e bukurisë femërore dhe disiplinës ushtarake.
Mendimin për të zgjedhur një tjetër profesion, nëse do t’i jepej mundësia, Vesa thotë se nuk e çon asnjëherë nëpër mend. Uniforma për të është nder.
“Uniforma më bën krenare. Të qenit epror ushtarak është krenari për individin dhe për familjen, kjo e fundit më ka dhënë një përkrahje të jashtëzakonshme që unë të ndjek profesionin që dua. Besoj se në të ardhme roli ynë do të çmohet edhe më shumë nga shoqëria, sepse ne jemi këtu në shërbim të komunitetit dhe vendit me dinjitet dhe përkushtim.”
Vesa Ajdini
GRATË NË USHTRI, NË PËRQINDJE TË ULËT
Nga personeli aktiv në ushtri gratë përbëjnë 9.8% të numrit të përgjithshëm. Nëse do t’i kategorizonim në bazë të gradave, atëherë:
Oficeret gra përbëjnë 15.56% të numrit të përgjithshëm të oficerëve në ushtri.
Nënoficerët gra janë 11.14% e numrit të përgjithshëm të nënoficerëve
Ushtaret profesioniste përbëjnë 5.64% të numrit të përgjithshëm të ushtarëve profesionistë.
Nga Armata e Maqedonisë thonë se numri i grave në ushtri shkon duke u rritur nga viti në vit.
“Krahasuar me situatën e viteve të kaluara, përqindja rritet, veçanërisht në kategoritë e oficerëve dhe ushtarëve profesionistë. Për shembull, në vitin 2018 kemi pasur një përfaqësim total prej 8.84%, gratë oficere përbënin 13.73% në këtë kategori, ndërsa ato nënoficere 11.6% dhe ushtare profesioniste 3.59%.”
ASNJË GRUA GJENERALE, PËR SHKAK TË REGJISRIMIT TË VONSHËM
Për sa i përket gradave, gratë i kanë arritur pothuajse të gjitha prej tyre, nga “ushtaraku i parë” deri tek “oficeri-kolonel më i lartë”, përveç gradës më të lartë në ushtri “gjeneral”, sepse, siç thonë nga ARM-ja, sipas kushteve ligjore për marrjen e gradave, kalimi në pozitë drejtuese, pozicionet e komandimit të reparteve dhe kualifikimet e nevojshme me shkolla të kryera ushtarake, procesi është i gjatë dhe kërkon vite të tëra në shërbim, ndërsa regjistrimi masiv i grave në ushtri ka nisur pas vitit 2000.
Gradën më të lartë “oficer – kolonel” për momentin e mbajnë tre anëtare femra, njëra prej të cilave tashmë ka mbaruar dhe shkollën më të lartë ushtarake që është një nga kushtet që duhet të plotësohen nëse synimi është grada e “gjeneralit”. Në gradën tjetër më të ulët, “nënkolonelë”, kemi dhjetëfish më shumë.
Gruaja e parë që ka qenë pjesëtare e Armatës, që nga themelimi i ARM-së në vitin 1992, është nënkolonelja Ljubica Projçevska. Deri në vitin 1997 numri i grave ishte më i ulët për faktin se gratë aplikonin fillimisht në një numër të madh për kurset për shërbimet e oficerëve dhe nënoficerëve në ushtri. Më pas me profesionalizimin e ushtrisë, ky numër u rrit.
Që nga viti 2009, Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria zbatojnë Programin për mundësi të barabarta për gratë dhe burrat në këtë resor dhe në Ushtri. Përqindja e grave të regjistruara në Akademinë Ushtarake në vitet e fundit është mbi 20% e numrit të përgjithshëm të kadetëve të regjistruar. Madje ka pasur një gjeneratë me 40% kadetë gra të regjistruara./mollëkuqja.mk