Interesimi i qytetarëve për dozën e parë të vaksinës antikovid është ulur në mbarë vendin. Nga ana tjetër doza e tretë e vaksinës nuk ndihmon arritjen e imunitetit kolektiv. Në Kumanovë për shkak të mosinteresimit për dozën e parë, është mbyllur qendra rajonale e vaksinimit. Vaksinimi në këtë qytet një muaj tashmë zhvillohet në Shtëpinë e shëndetit, ku në bazë ditore injektohen 300-500 doza anti kovid.
“Po jemi të moshuar dhe ishim të sëmurë. Jemi nga fshati dhe nuk kemi mundur të vijmë më herët. Pas pritjeve të gjata tani në fund vendosëm të vijmë.”
“Për sigurinë time personale e mora edhe dozën e tretë pasi pata marr edhe dy të parat. A ju sugjeroni edhe të tjerëve që hezitojnë? Patjetër që po duhet të vaksinohen!”
“Doza e parë dhe e dytë ishin Sinofarm tani mora Pfizer. Përse vendoset ta merrni edhe të tretën? Për arsye shëndetësore, unë kam kaluar edhe sëmundjen e kovidit, njësoj edhe bashkëshorti im.”
Nga drejtoria e Shtëpisë së Shëndetit thonë se ka rezerva të mjaftueshme të të gjitha llojeve madje i furnizojnë edhe pikat tjera të vaksinimit në Likovë, Kriva Pallankë dhe Kratovë. Nga personeli i këtij institucioni thonë se kanë riorganizuar stafin dhe orarin për t’ju përshtatur qytetarëve së interesuar.
Përkundër hapësirës dhe kapacitetit të vogël jemi duke punuar me dy turne nga 07-19h për të mos u krijuar radhë të gjata të pritjeve për vaksinim. Momentalisht shohim një interesim të shtuar për dozën e tretë që njihet si boost-er dozë dhe jepet e llojit Pfizer”, tha Valdrin Miftari, Personel nga Shtëpia e Shëndetit Kumanovë.
Shumica e qytetarëve që kanë marrë dy doza para 3-6 muaj tani duan që doza e tretë përveç dobisë shëndetësore të ju shërbej edhe për udhëtim. Meqë doza e tretë nuk evidentohet në certifikatën e vaksinimit, autoritetet kanë gjetur një zgjidhje.
“Ky është dokumenti i cili dëshmon se pacientët kanë marr dozën e tretë Pfizer dhe kanë lehtësira gjatë udhëtimit jashtë shtetit në rastet kur dozën e parë dhe të dytë kanë marrë ato kineze Sinofarm/Sinovak.”
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë gjatë ditës së djeshme në gjithë vendin u dhanë 5,532 vaksina, prej të cilave 666 doza e parë, 1,050 të rivaksinuar dhe 3,816 qytetarë të tjerë kanë marrë dozën e tretë. Deri më tani është vaksinuar vetëm 35% e popullsisë.