BFI: Mysafirë të lartë nga Turqia janë në një vizitë tre ditore në vendin tonë


Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, të martën më 26.10.2021 priti në zyrën e Rijasetit të BFI Drejtorin Gjeneral të Vakëfeve nga Republika e Turqisë, z. Burhan Ersoj të shoqëruar nga znj. Shengjyl Konxhagjyl zëvendës Drejtore e sektorit për vepra dhe ndërtime artistike, z. Akif Solmaz – inxhinier ndërtimtarie dhe z. Abdullah Bekirli, zëvendës Shef i Kabinetit.Në këtë takim Reisul Ulemanë e shoqëronte: Myftiu i Myftinisë së BFI – Shkup, Dr. Qenan ef. Ismaili, Sekretari Gjeneral i BFI H. Irsal ef. Jakupi, Drejtori i Sektorit për marrëdhënie me Republikën e Turqisë, Prof. Nizam Reshit, Drejtori i Sektorit të Diasporës, Dr. Selver ef. Xhemaili dhe referenti i sektorit Arkivues në BFI, Dr. Mumin Omerov.

Fillimisht Reisul Ulema u dëshiroi mirëseardhje mysafirëve të çmuar nga Republika e Turqisë, duke thënë se kjo vizitë e nderon jo vetëm Bashkësinë Fetare Islame në RMV, por të gjithë muslimanët që jetojnë në këtë nënqiell.
Më pas Reisul Ulemaja u shpjegoi funksionimin e Bashkësisë Fetare Islame në tërësi dhe më pas u foli rreth pronave të vakëfit me të cilat disponon për momentin BFI e RMV-së. Reisul Ulemaja gjithashtu i njoftoi mysafirët edhe me pronat të cilat së fundit i janë kthyer BFI, siç janë Kapan Hani, Bezisteni dhe Kinemaja e vjetër, si dhe për pronat për të cilat janë në proces e sipër të denacionalizimit.

BFI për momentin po bën gjithçka që ti kthen të gjitha pronat e nacionalizuara padrejtësisht nga sistemi monist gjatë shekullit të kaluar, me qëllim që të krijon kushte më të volitshme për zhvillimin dhe avancimin e islamit në këto troje.Nga ana e tij , Drejtori Gjeneral i Vakëfit të Republikës së Turqisë z. Burhan Ersoj falënderoi Kryetarin e BFI-së, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetain për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore.

Ai vlerësoi lartë punën e BFI, në organizimin e jetës fetare në Republikën e Maqedonisë së Veriut si dhe në mirëmbajtjen e vakëfeve, të cilat janë një burim i pashtershëm të mirash në zhvillimin dhe avancimin e organizimit të jetës fetare islame në vend. Ai më pas ndau eksperiencat e Institucionit të cilin ai e drejton në mirëmbajtjen e vakëfe në Republikën e Turqisë, metodat dhe praktikat të cilat fare mirë mund të aplikohen edhe në vendin tonë, me qëllim të avancimit dhe shtimit të pasurisë së vakëfit, e cila në vazhdimësi do të gjeneronte të ardhura të cilat më pas do të shëndroheshin në vakëf të ri.

Poashtu gjatë bisedës, Reisul Ulemaja informoi edhe për ecurinë e projekteve të cilat janë në realizim e sipër si dhe për projektet e përbashkëta mes BFI dhe Drejtorisë së Vakëfeve të Turqisë.
Në fund të takimit, të dyja palët këmbyen dhurata simbolike. Sipas protokollit të Bashkësisë Fetare Islame të RMV, mysafirët e lartë nga Turqia janë në një vizitë tre ditore në vendin tonë, me ç’rast do të kenë mundësi të vizitojnë disa myftini të vendit, siç janë Myftinia e Shkupit, e Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Strugës, Ohrit dhe e Manastirit.