Vaksina bëhet e detyrueshme për punëtorët në Zelandën e Re


Qeveria e Zelandës së Re njoftoi sot vaksinimin e detyrueshëm për punëtorët për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), tha një zyrtar.

Në një deklaratë, ministri i vendit për Marrëdhëniet në Vendin e Punës dhe Sigurinë, Michael Wood, tha se qeveria po prezanton një sërë masash për të ndihmuar në mbrojtjen e vendeve të punës dhe punëtorëve nga COVID-19.
“Ne po e bëjmë vaksinimin e detyrueshëm për punëtorët në bizneset ku klientët duhet të tregojnë certifikatat e vaksinimit të COVID-19 për t’i bërë ato vende pune sa më të sigurta dhe për t’u dhënë besim stafit dhe klientëve”, tha Wood.

Sipas ligjit të ri, punëtorëve të pavaksinuar do t’u jepet një periudhë e re njoftimi katërjavore për t’u vaksinuar përpara se të ndërpritet punësimi, shtoi ai.
Të premten, kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, tha se qeveria e saj vendosi një objektiv për të vaksinuar plotësisht 90 për qind të popullsisë për t’i dhënë fund kufizimeve të rrepta të koronavirusit në vend.

“Njerëzit plotësisht të vaksinuar do të jenë në gjendje të rilidhen me familjen dhe miqtë, të shkojnë në bare dhe restorante dhe të bëjnë gjërat që duan me siguri dhe besim më të madh”, tha Ardern.