Banka Botërore rekomandon që Maqedonia të vendosë taksë karboni. Do të ishte fillimi i një zgjidhjeje afatgjatë për kalimin në prodhimin e energjisë elektrike, nga burime të pastra ekologjike si era, uji dhe dielli. Por, nëse aplikohet një taksë e tillë e re, atëherë autoritetet duhet të ulin ndonjë taksë tjetër, siç është tatimi mbi të ardhurat.
“Se si do të aplikohet kjo taksë varet nga qeveria. Mund të futet dhe në të njëjtën kohë të zvogëlohet tatimi mbi të ardhurat, i cili nga ana tjetër do të ndihmojë në stimulimin e pjesëmarrjes në tregun e punës, që gjithashtu do të rrisë standardin e jetesës …”, tha Sanja Maxhareviq – Shujster, Banka Botërore.
Nga Banka Botërore gjithashtu iu referuan problemit më aktual global, rritjes së çmimeve. Sipas ekonomistëve, një inflacion i tillë është i përkohshëm dhe ata presin stabilizim gjatë vitit të ardhshëm. Parashikimi i Bankës Botërore për rritjen e ekonomisë së Maqedonisë për këtë vit është në nivel prej 4.6 për qind. Për vitin 2022 pritet rritja prej 3.7 për qind, dhe në vitin 2023, rritje më e ulët, pra 3.1 për qind. Shkalla më e lartë për këtë vit është për shkak të ndikimit të keq të pandemisë vitin e kaluar, përkundër trajtimit të krizës këtë vit.
“… Këto pikëpamje pozitive mbeten të rrethuara nga rreziqe negative, si rezultat i ritmit të ngadalshëm të imunizimit dhe zinxhirëve të furnizimit ende të çrregulluara, si dhe shtrëngimit të kushteve të financimit”, tha Masimiliano Paulloçi, Drejtor i Bankës Botërore për Maqedoninë dhe Kosovën.
Ekspertët gjithashtu besojnë se në periudhën e ardhshme, varfëria në Maqedoni do të zvogëlohet si rezultat i kërkesës më të madhe për punë në tregun e punës. Vendi ka një parashikim më të lartë për rritjen ekonomike vetëm nga Bosnjë-Hercegovina, për të cilin parashikohet rritje e Prodhimit Bruto Vendor për këtë vit prej 4 për qind. Banka Botërore ka pritshmëri më të larta për Malin e Zi, ku rritja parashikohet në 10.8 për qind, e ndjekur nga Shqipëria me 7.2, Kosova me 7.1 dhe Serbia me 6 për qind rritje të planifikuar për këtë vit.