Bitcoin thyen rekord! Ky është parashikimi i radhës nga ekspertët


Kriptomonedha më e vlefshme në botë, Bitcoin, theu të mërkurën rekordin e saj historik, të vendosur në prill, duke kapur vlerën e 67 mijë dollarëve.

Vetëm këtë muaj, çmimi për një Bitcoin është rritur me gati 50%, nga 44 mijë dollarë që ishte në fund të shtatorit. Ky ndryshim është shtyrë nga shpresat e investitorëve se rregullatorët amerikanë nuk do të ndërhyjnë për bllokimin e kriptomonedhave, futjes në lojë nga investitorë të mëdhenj si George Soros, si edhe nga nisja e Fondit të parë Tregtar të Këmbimeve Valutore.

Fondi i quajtur “ProShares Bitcoin Strategy”, që nisi aktivitetin të martën, pësoi një rritje të aksioneve me 3% të mërkurën në mëngjes. Disa investitorë tani parashikojnë edhe më shumë fitime nga Bitcoin, pavarësisht kritikave nga disa ekonomistë, si CEO i JPMorgan Chase, Jamie Dimon, i cili së fundmi e ka quajtur “të pavlerë”.

Naeem Aslam, kryeanalist i tregjeve në kompaninë AvaTrade, tha në një raport të së mërkurës se parashikonte që vlera e kriptomonedhës të arrijë shumë shpejt deri në 100 mijë dollarë. Ndërsa vitin e kaluar, pati edhe analistë të tjerë që parashikuan se vlera e një Bitcoin do të shkonte mbi 300 mijë dollarë.