Artan Muhaxhiri ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, deri më tash kanë arritur suksese më të mëdha se Lëvizja Vetëvendosje. Ai vlerëson që në komuna, ku garat do të zhvillohen me balotazh, të trija këto parti do të bashkëpunojnë përballë Lëvizjes Vetëvendosje.
“Është e pritshme që partitë tjera, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja të bashkëpunojnë për balotazh, në mënyrë që t’i mposhtin kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, sepse konsiderojnë që kjo do të mund të reflektohet edhe në nivelin qendror, në zgjedhjet e ardhshme, pasi që kundërshtari i tyre dhe i përbashkët është Lëvizja Vetëvendosje. Ata do të bëjnë çmos që t’ia cenojnë mundësinë për përsëritjen e 14 shkurtit në zgjedhjet ardhshme (parlamentare)”, theksoi Muhaxhiri.
Ai ka thënë gjithashtu se në shumicën e komunave ku kryetarët e mëparshëm kanë kandiduar sërish, edhe për një mandat, të njëjtit nuk kanë arritur fitore, por kanë shkuar në balotazh. Sipas tij, kjo është porosi e votuesve për partitë përkatëse që nuk e kanë guximin që të kryejnë reformat e brendshme, por që ato reforma dhe ndryshime u imponohen nga vota e qytetarëve.