Nga viti 1988 jeton dhe vepron në Zvicër. Mërgimtari nga fshati Çerkez i Kumanovës, Avdi Neziri, i cili jeton në Heerbrugg të kantonit të St. Gallenit sot ka ardhur në vendlindje, më 17 tetor të vitit 2021, pikërishtë në ditën kur po mbahen zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut.
Për dallim prej herave të tjera, ardhja kësaj radhe ishte e dyfishtë, të çmallet me familjarët e tij dhe për të kryer obligimin e tij si qytetar.
Avdiun e takuam në vendvotimin e shkollës periferike komunale “Jeronim De Rada” në Çerkez të Kumanovës.
E pas votimit, ai u shpreh optimistë.
“Po, unë gjithmonë në jetë jam optimsitë. Shpresoj se do të bëhet më mirë në vendlindjen time, në komunën e Kumanovës dhe në përgjithësi në shtet. Po mundohemi për të mirë. Ne mërgimtarët jemi me trup në Zvicër, por me mendje jemi në vendlindje dhe ia duam të mirën këtij vendi. Mua sa herë që me jepet rasti vijë në shtëpinë time. Vij për tu çmallur me familjen. Sot sapo mbërrita nga Zvicra, kam bërë 22 orë rrugë, jam lodhur shumë, por më besoni kur hyjë në shtëpi e harrojë lodhjen”, deklaroi Avdi Neziri për gazetarin Reshat Ibraimi.
E deri sa po bashkëbisedonim në oborrin e shkollës, atij i mbushen syt me lotë, lotë të cilat i rrëshqasin në faqe. E pyes nëse të kaplojë nostalgjia për rininë e dikurshme. Avdiu nisi të ofshajë dhe vazhdoi:
“Po më kujtohet jeta ime si fëmijë dhe i ri. Ajo kohë nuk harrohet. Edhe pak po i mbush 33 vite në mërgim. Në Zvicër jam nga viti 1988, por malli për vendlindjen kurrë nuk hiqet. Shpesh atje i shoh ëndrrat e rinisë që i kam kaluar këtu në vendlindje. Fillimi ka qenë i vështirë, por me kalimin e kohës jemi mësuar. Tash na u kanë rritur edhe fëmijët dhe punët kanë ndryshuar për të mirë. Shqiptarët janë integruar mirë në shoqërinë zviceriane. Nuk jemi më si dikur që bënim vetëm punë krahu, por tani të rinjtë shqiptarë mund ti gjesh kudo. Dhe, kjo të bënë edhe krenar”.
Në fund të këtij bashkëbisedimi, Avdi Neziri, tha se në vendlindje do të qëndrojë një javë dhe këtë pushim do ta shfrytëzojë për të takuar familjarë, miqë dhe dashamirë të tij të shumtë.