Shtohen kërkesat për ndihma humanitare


Duke marrë parasysh se jemi para sezonit të dimrit, në organizatën komunale të Kryqit të kuq thonë se ka një interes të theksuar për sigurimin e veshmbathjes dhe të drurit për ngrohje. Sekretari Isni Telqiu thotë se janë duke u grumbulluar rroba dimërore për personat në nevojë.

Kohëve të fundit në Dibër u shtohet puna shoqatave humanitare. Shkaku kryesor janë kërkesat e skamnorëve për t’ju dalë në ndihmë për shkak të rritjes të çmimeve por edhe për shkak të afrimit të sezonit dimëror. Shoqatat humanitare informojnë se do të rrisin numrin të familjeve të cilët marrin ushqim falas por edhe veshmbathje, dru për ngrohje, medikamente etj.

Në dy kuzhinat popullore që veprojnë në Dibër ajo e Ministrisë për punë sociale si dhe kuzhina popullore private “Dibra”, thonë se nga dita në dit rritet numri i familjeve që kërkojnë ushqim. Në Qendrën për punë sociale në Dibër theksojnë se ka kërkesa të reja për të marr ushqim falas nga kuzhina popullore ku deri tani janë të evidentuar 100 familje.

Drejtori i kësaj qendre ka informuar se kërkesat janë drejtuar në adresë të Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale. Udhëheqësi i kuzhinës popullore humanitare “Dibra”, Zeqir Çanka thekson se ka një rritje të interesit të familjeve të reja që në këtë kuzhinë kërkojnë ushqim falas. Aktualisht numri i familjeve që shfrytëzojnë ushqim të ngrohët është rreth 60 por siç thotë Çanka, shumë shpejt ky numër do të rritet. Rritja e interesit për ushqim falas sipas kuzhinave që veprojnë në Dibër ka të bëjë me rritjen e çmimit të produkteve ushqimore që ndikojnë drejtpërdrejt për familjet ekstreme sociale.

Duke marrë parasysh se jemi para sezonit të dimrit, në organizatën komunale të Kryqit të kuq thonë se ka një interes të theksuar për sigurimin e veshmbathjes dhe të drurit për ngrohje. Sekretari Isni Telqiu thotë se janë duke u grumbulluar rroba dimërore për personat në nevojë. Ai shton se në tentativat për të gjetur donator për dru për ngrohje janë paraqitur edhe donator të personave dhe grupeve të interesit kryesisht nga mërgimi. Pritet që edhe këtë dimër shoqatat humanitare nga diaspora të sigurojnë dru për ngrohje për më se 100 familje.

Kur jemi tek kërkesat për ndihma humanitare të theksojmë se një numër i mirë i dibranëve që jetojnë në Evropë dhe Amerikë në kontinuitet kanë ndihmuar skamnorët. Përveç druve për ngrohje, shlyhen edhe borxhet që kanë anëtarët e familjeve me probleme sociale ndaj barnatoreve në Dibër.

Poashtu në qendër të vëmendjes vazhdojnë të jenë edhe donacionet për shërim që japin shoqatat humanitare dhe individët për persona të cilët kanë nevojë për operime. Këto ditë u realizua operacioni në një spital jashtë vendit tonë , të një vajze dibrane 13 vjeçare. Nëna e saj, Albana Zaide, na informoi se për operacionin ka grumbulluar 20 mijë euro kryesisht nga shoqatat dhe donator të diasporës dibrane dhe të Zhupës.

“Humanizmi i mërgimtarëve tanë është i madh dhe ata ndihmojnë gjithmonë. Falë ndihmës që dhanë mërgimtarët tanë besoj se vajza ime përfundimisht të filloj të ecë”, thotë nëna a vajzës 13 vjeçare Albana. Deri më tani dhjetëra raste për kurime jashtë vendit janë siguruar kryesisht me donacione të mërgimtarëve dibran në botë.